Europarlamentarët, gjatë seancës së djeshme plenare kanë goditur ashpër presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, për emërimin e ndihmësit të tij personal gjerman, si sekretar të Përgjithshëm të Komisionit Evropian.
Gjermani Martin Selmayr është një figurë jashtëzakonisht përçarëse, por ama dje, ka bërë bashkë në mënyrë mbresëlënëse deputetët e pothuaj të gjitha partive në Parlamentin Evropian, për të kundërshtuar emërimin e tij në detyrën më të lartë të shërbimit civil në Komisionin Europian.
Gjatë seancës plenare në Strasburg për ngritjen e tij të shpejtë drejt pozicionit të fuqishëm të sekretarit të përgjithshëm, përfaqësues nga çdo rrymë politike – majtas dhe djathtas, federalistë dhe euroskeptikë – u rreshtuan për të paralajmëruar Komisionin kundër një manovre që duket ashiqare manipulim i hapur politik.
“Ngritja e shpejtë e Selmayrit “shkatërron të gjithë besueshmërinë e Bashkimit Europian”, tha përpara kolegëve, eurodeputetja hollandeze Sophie in ‘t Veld.
“Komisioni do të duhet të zgjedhë atë që është më e rëndësishme,” tha in ‘t Veld në fjalimin e saj, “karrierën politike Selmayrerit apo kredibilitetin e BE.”
“Çfarë më mirë se ky emërim do ta çojë erën në mullinjtë e euroskeptikëve?”, tha Françoise Grossetête nga Partia Popullore Evropiane, grupimi politik i vetë Selmayrit. “Kjo po diskrediton një institucion që është i përbërë nga njerëz shumë të talentuar e profesionistë”, shkruan Faxweb.
Parlamenti nuk mund ta largojë Selmayrin nga zyra, por ama mund të ushqejë një debat që filloi tri javë më parë, kur komisionerëve iu paraqit emërimi i tij i befasishëm.
Për Selmayrin dhe mbrojtësin e tij Jean-Claude Juncker, veprimi në Strasburg u shton kritikave në Bruksel e më gjerë një përmasë shtesë të padëshiruar.
Euroskeptikët në Mbretërinë e Bashkuar kanë theksuar se kjo ngjarje konfirmon perceptimin e tyre të institucioneve të BE-së si “një klub i çunave të dorës së vjetër”, ndërsa qeveria hungareze ka shpërthyer ndaj Komisionin Evropian për standardet e tij të dyfishta dhe gjoja “predikimin” për sundimin e ligjit.
Ëerner Langen, një deputet gjerman i PPE, tha se Selmayrit i mungon përvoja. “Ajo që Selmayr nuk ka, është përvoja në departamente të ndryshme, ai kurrë nuk ka qenë në krye të ndonjë departamenti … e gjithë procedura e emërimit të tij ishte çdo gjë veç transparente, e na kujton burokracinë sekrete të shekullit të 19-të”.
In ‘t Veld tha se debati “nuk ka të bëjë me politikat e stafit … Ka të bëjë me mungesën totale të gjykimit politik të këtij Komisioni Evropian”.
Ajo tha se kishte mbetur “pa fjalë” me 28 komisionerët, të cilët votuan njëzëri në favor të emërimit të Selmayrit, ndonëse asnjë prej tyre nuk e dinte kandidaturën paraprakisht, duke u “tërhequr për hunde nga një nëpunës civil”, shkruan Faxweb.
“Nëse komisionerët intimidohet kaq lehtësisht nga nëpunësit civilë … nëse veprojnë si fëmijë të paaftë … si mund të presim që ata të ngrihen për interesin e BE-së ndaj Trump-it për shembull në një luftë tregtare?” Shtoi ajo.
Pervenche Berès, një tjetër deputet socialist, tha se Selmayri nuk kishte “cilësitë ligjore” të nevojshme për këtë pozicion. Ajo pyeti se pse kandidatura e sekretarit të përgjithshëm të Komisionit nuk ishte shpallur paraprakisht dhe pse Clara Martinez, shefja aktuale e Kabinetit të Junckerit, u tërhoq nga gara.
Bart Staes, një eurodeputet belg, tha se emërimi u krye me shpejtësi rekord.
“Mos na trajto si fëmijë,” tha Staes. “Ne nuk presim që zyrtarët e lartë të veprojnë në mënyrë të nxituar dhe kaq të pandershme”.
Eurodeputeti gjerman Sven Giegold shtoi: “Unë nuk do ta ngre fare çëshjten e kompetencës së kandidatit … Duhet të nxirrni pasoja nga ky skandal”.
Gyorgy Schöpflin, një konservator hungarez, tha: “Kjo tregon se mekanizmi kontroll-balancë mungon në punën e Komisionit Evropian”.
“Nëse Komisioni Europian është i gatshëm të injorojë rregullat e veta, pse duhet t’i kushtohet vëmendje asaj që KE thotë për mangësitë në sundimin e ligjit në shtetet anëtare dhe kudo tjetër, për këtë çështje?”
Faxweb shkruan se deputeti francez Pascal Durand u shpreh se “me emërimin e Selmayrit u minua gjithë projekti evropian.”
Pothuajse pjesa dërrmuese e deputetëve që folën në Parlament u treguan kritikë ndaj Komisionit.
Para debatit, deputetët e Parlamentit Evropian votuan njëzëri për t’i dhënë Komitetit të Kontrollit Buxhetor detyrën e hetimit të procedurës së emërimit të Selmayrit dhe në bazë të punës së komisionit, ata ranë dakord të votonin për një rezolutë në një seancë të mëvonshme plenare këtë vit.
Kush e mbrojti emërimin e Selmayrit?
Por Komisioneri për Buxhetin dhe Burimet Njerëzore në BE, Günther Oettinger, mbrojti emërimin e Selmayrit para Parlamentit Europian.
“Ne kemi bërë gjithçka në përputhje me procedurat,” tha ai, duke shtuar se Juncker kishte të drejtë në bazë të ligjit të BE, për të emëruar nëpunësin më të lartë të BE-së.
“Ne nuk duhet ta kthejmë z. Selmayr në një përbindësh,” tha Oettinger, duke shtuar se Selmayr, i cili është gjerman, nuk është aspak “një përbindësh”.
Juncker thuhet se e quan Selmayr “përbindësh” për shkak të aftësisë së ndihmësit të tij për të punuar orë të gjata.
Mediat britanike i janë referuar Selmayrit si “Rasputini i Brukselit” për shkak të reputacionit të tij të frikshëm si një ndërmjetës i fuqishëm dhe i zellshëm pro BE-së.
Shtetësia e Selmayr shkakton ankth në Bruksel për shkak të frikës se shteti më i madh anëtar, Gjermania, ka realisht shumë ndikim mbi institucionet e BE-së.
Kush është Martin Selmayr, i quajtur ndryshe edhe “Monstra e Berlaymontit”?
Martin Selmayri ka qenë figura në hije pranë Presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker, shefi i stafit të tij që prej vitit 2014. Emërimi i tij si sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Evropian, mund të çimentonjë fuqinë e tij në politikën e BE-së për vitet e ardhshme.
Selmayr është 47-vjeçar, nga qyteti gjerman i Bonn-it. Përpara se të bëhej shefi i stafit të presidentit Juncker, në vitin 2014, ai drejtoi fushatën e zgjedhjes së tij në krye të Komisionit Evropian; më përpara ka ushtruar edhe detyrën e zëdhënësit të Komisionit Evropian.
Ai është një ndërmjetës politik dhe zbatues i menaxhimit politik vertikal të Juncker në Komision. Juncker e ka quajtur me dashuri Selmayrin një “përbindësh” për aftësinë e tij të punës.
Nick Timothy, një ish-ndihmës i kryeministres britanike Theresa May, akuzoi Selmayrin për nxjerrjen e detajeve të papërshtatshme nga bisedimet e Brexit në tetor 2017, me qëllim minimin e procesit.
Pse emërimi i Selmayrit si sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Evropian ka alarmuar eurodeputetët?
Presidenti i KE, Jean Calude Juncker, ka thënë se nuk do të rikandidojë për postin e presidentit kur mandati i tij të përfundojë në vitin 2019. Ngritja politike e Selmayrit, nga zyra e Junckerit drejt e në postin e lartë të shërbimit civil të Komisionit, mund të rrisë seriozisht ndikimin e tij në politikën e BE-së për vitet në vazhdim.
Emërimi i Selmayrit po ringjall frikën e vendeve të BE-së ndaj Gjermanisë për shkak se ky shtet po ushtron ndikim të madh në institucionet e BE.
Gjermania është shteti më i fuqishëm dhe i pasur në union, dhe është e interesuar të emërojë një gjerman në postin e shefit të Bankës Qendrore Evropiane (ECB).
Megjithatë Günther Oettinger, komisioneri i Buxhetit dhe Burimeve Njerëzore të BE-së, tha se Berlini nuk ka qenë gjithmonë dakord me Selmayrin.
(E.L/Faxweb)