Jill Biden do të jetë e vetmja Zonjë e Parë në historinë 231-vjeçare të Amerikës, që do të vazhdojë të punojë me kohë të plotë në profesionin e saj.
Bashkëshortja e presidentit të ardhshëm, Joe Biden, është pedagoge në universitet. Ajo ka një diplomë bachelor, dy master dhe një doktoraturë në arsim. Përgjatë tetë viteve të administratës së Obamës, ajo vazhdoi të jepte mësim në Kolegjin e Komunitetit të Veriut Virxhinia, pavarësisht rolit të saj si ‘zonjë e dytë’ kur Biden, ishte zv/president.
Sipas USA Today, as tani situata nuk do të ndryshojë, pasi Jill është shprehur se do të vijojë të japë mësim në universitet.
“Historikisht, amerikanët gjithmonë kanë dashur që Zonjat e tyre të para të jenë në Shtëpinë e Bardhë dhe pranë presidentit sa herë që të jetë e mundur,” thotë historiania Katherine Jellison.
“Ndoshta ka ardhur koha që amerikanët të ndryshojnë qëndrim. Gruaja e një presidenti mund të jetë njëkohësisht një Zonjë e Parë dhe një profesioniste në të njëjtën kohë,” shtoi ajo.
Vetë Jill Biden, në disa intervista, para se të zgjidhej Joe Biden të zgjidhej president, gjithmonë thoshte se do të vazhdonte të punonte.