Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur me deputetët e zgjedhur të Partisë Socialiste dhe ata aktual, shpalosi në vija të përgjithshme planin e qeverisjes për mandatin e tretë që pritet të nis në shtator.
Rama teksa foli për një riorganizim të brendshëm të Partisë Socialiste në territor dhe nisjes së përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme lokale, i tërhoqi veshin bashkëpunëtorëve të vet të cilët sipas tij nuk ia kanë zbardh faqen kësaj mazhorance.
Rama me një gjuhë të ashpër u shpreh se ata që nuk kanë arritur objektivat elektoralë dhe performancë në qeverisjeje, duhet t’ia hapin rrugën të tjerëve. Nga ana tjetër kryeministri foli me tone të zbutura ndaj PD-së ku vijoi ftesat për bashkëpunim.
“Mesazhi im i parë i grupit tim parlamentar është të jemi gati për mbajtjen e zgjedhjeve të ardhshme, që përfshin zgjedhjet lokale.
Gati për të kuptuar ku dhe si të ndërhyjmë për përmirësimin e makinerisë sonë elektorale, duke bërë një analizë dhe riorganizim të Partisë Socialiste në të gjithë territorin.
Kush nuk ka kapur objektivin dhe kush nuk ja ka zbardhur faqen kësaj organizate në ekzekutiv duhet t’ia hapë rrugën dikujt tjetër. Duhet të ngrihet një komision, i cili do të analizojë punën e gjithësecilit.
Qeveria e re do të formohet fill pas sezonit të verës por puna për planin e qeverisjes e do ta bëjmë më herët.
Në mbledhjen e Asamblesë do të marrim detyrat, në lidhje me anëtarësimet e reja dhe për riorganizimin e Partisë Socialiste në të gjithë territorin.
Mesazhi im i dytë është për të gjithë ju këtu, jini gati për ta braktisur llogoren e luftës së vjetër politike dhe për të çuar këtë frymë në të gjithë PS-në. Në aspektin me marrëdhënien me PD-në ky mandat i tretë nuk do t’i ngjajë në asnjë mënyrë 2 të parëve.
Sado që ata të mos e pranojnë rezultatin. Shqipëria na ka dhënë besimin e madh dhe mbështetjen e plota për ta udhëhequr dhe ne do ta bëjmë pa u marrë me politikën banale të përditshme. Ne nuk kemi më një mandat për të luftuar me PD-në por për të çuar në fund punët e mëdha që kemi nisur dhe për të nisur punët e mëdha që duhen çuar në fund.
Pa u lodhur, pa e humbur durimin dhe toruan. Do ta tregojmë me sjellje dhe me vepra që për ne kjo është dekada kur duhet çuar sa më në majë Shqipëria. Sharjeve të tyre ne do t’i përgjigjemi me idetë tona. Kritikave të tyre ne do t’i përgjigjemi me mendje të hapur. Baltës dhe sherrit të padobishëm ne do t’i kthejmë faqen tjetër”, tha Rama.