Ditën e sotme moti në vendin tonë do të mbetet nën ndikimin e masave ajrore të paqëndrueshme. Për pasojë, orët e paradites do të jenë me diell ndërsa pasditja sjell shtim të vranësirave duke rrezikuar reshje shiu në të gjithë zonën malore, më të dukshme në veri të vendit ku priten edhe rrebeshe. Parashikohet që orët e vona të mbrëmjes të sjellin përmirësim gradual të motit duke lënë me reshje të pakta dhe të izoluara vetëm zonat malore Juglindore.
Temperaturat e ajrit do të rriten në mëngjes por mesdita nuk do të sjellë ndryshim të tyre duke luhatur vlerat ditore nga 11°C deri në 29°C. Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe mesatare në det me shpejtësi 35 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 3 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës, vijon nën ndikimin e vranësirave dhe reshjeve të shiut ku më të dukshme reshjet paraqiten në pjesën veriore dhe verilindore të saj ku priten edhe rrebeshe afat-shkurtra. Parashikohet që herë pas here të ketë intervale me kthjellime të cilat do të jenë kryesisht gjatë orëve të paradites.
Maqedonia e Veriut
Dita e hënë; përgjatë gjithë 24-orëshit në Republikën e MV paraqitet nën mbizotërimin e kthjellimeve dhe vranësirave të shpeshta ku herë pas here do të gjenerojnë reshje të pakta shiu, nuk do të mungojnë edhe rrebeshet në zonat jugore dhe jugperëndimore. Orët e pasdites dhe mbrëmja sjellin zhvillim të mëtejshëm të vranësirave dhe rrebeshe shiu në të gjithë MV./MeteoAlb