Teksa nuk ka ende asnjë të dyshuar për vrasjen e Edmond Koçit, i njohur ndryshe dhe me nofkën Mond Çekiçi në qytetin e Durrësit, gazetarja Klodiana Lala, ka zbuluar se kush është grupi rival me Bandën e Durrësit, që vepron në periferitë e qytetit bregdetar.
Sipas Lalës ky grup që është krijuar në rrethinat e Durrësit, ka lidhje më kompakte mes anëtarëve, për shkak të lidhjeve të gjakut, dhe dyshohet se ka dorë në vjedhjen e serverit të Prokurorisë dhe postës së Durrësit.
“Banda rivale e bandës së Durrësit është një bandë që përmes korrupsionit shtetëror ka arritur të përvetësojë tokë në Hamallaj dhe te Gjiri i Lalzit. Është grup nga rrethinat e Durrësit. Kjo ngajrje mund t’i shkojë SPAK-ut për hetim. Pra është banda e Durrësit klasike, pra ajo që drejtohej nga Lul Berisha dhe më pas drejtohej nga Dokle, dhe presupozohet se Çekiçi i kishte zëvendësuar.
Grupi kundër është më pak i njohur në media, por është më kompakt pasi kanë lidhje familjare dhe fisnore, janë djem xhajesh, djem tezesh, dhe dyshohet se kanë lidhje me vjedhjen e serverit të Prokurorisë së Durrësit dhe postës së Durrësit pasi aty ka pasur të dhëna për tjetërsimin e pronave.
Të dy grupet rivale kanë lidhje të fuqishme në politikë, dhe kjo nuk është klishe. Çekiçi është mbështetur nga politika dhe ka qendruar në hije. Nëse nuk shkëputen lidhjet e tyre me politikën nuk mund t’i godasë policia sado të kenë vullnet të mirë”, u shpreh Lala.
Ndërkohë që gazetari Artan Hoxha tha se atentati ndaj Mond Çekiçit është i njëjtë me atë ndaj Plarent Dervishajt, i cili arriti të shpëtonte vetëm për shkak se njërit prej ekzekutorëve iu bllokua arma, ndërkohë që tashmë vetë objektivi ndodhet në Dubai.
Dervishaj së bashku me Lulzim Berishën janë të dyshuar për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe mikut të tij, ngjarje kjo e ndodhur më shumë se 10 vite më parë në Tiranë. Sipas tij kundërsharët kanë gjetur momentin më të mirë për të goditur Mond Çekiçin, pasi ai kishte mbetut pothuajse i vetëm në Durrës, për shkak se banda e dikurshme, e famshme për aktivitetin kriminal, tashmë është pothuajse e shpërbërë.
(E.K/Faxweb.al)