AktualitetFlashKryesoreTe FunditTe Gjitha

”Jam shumë e lumtur”, Fuga ‘dush të ftohtë’ Shahinit: Roli juaj ka qenë 0! Historia do e thotë fjalën e saj

Në një kohë kur propozimi i një grupi deputetësh për Reformën në Akademinë e  Shkëncave i ka kaluar Këshillit të ministrave, pavarësisht se është kundërshtuar nga një grup akademikësh, me në krye Artan Fugën, ku i fundit ka replikuar me ministren e Arsimit Besa Shahini.

Ministrja përmes një statusi në rrjetet sociale shprehej e lumtur me këtë draft, dhe thotë se debati për të ishte shterues, pavarësisht se qëndrimet e akademikut Fuga kanë qenë kundër, dhe vazhdimisht publike. Shahini thotë se janë hedhur themelet për ngritjen e një akademie rajonale, por sipas Fugës kjo është e gabuar, pasi shqiptarët e çdo shteti kanë të drejtë të kenë akademitë e tyre.

“Përgëzoj nismën e deputetëve për ta çuar përpara reformën në Akademinë e Shkencave! Ka kaluar shumë kohë qëkur ka filluar debati për reformën dhe sot duhet të shohim frytet e saj!

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) ka facilituar procesin e hartimit të një projektligji të ri, i cili do të mundësojë modernizimin e Akademisë duke themeluar një grup pune me anëtarë të Akademisë.

Grupi i punës ka hartuar projektligjin reformues, të cilin duhej ta nisja për mendim në Këshill të Ministrave.

Por meqë debati mbi të nuk kishte shterruar dhe kishte ende zëra për ndryshime të mëtejshme, jam e lumtur që me nismën e deputetëve ky dokument shkon direkt në parlament, aty ku përplasen idetë e ndryshme me qëllim arritjen e një teksti të vetëm ligjor ku përfshihen elementët më të mirë!

Do të jem edhe unë pjesë e këtij debati ku do të paraqes idenë time për të vendosur në ligj bazat e fillimit të një përafrimi të akademive shqiptare në rajon me synim integrimin në një të vetme”, shkruante Shahini në reagimin e saj, që ka gjetur kundërshtimin e Fugës.

Në reagimin e tij publik akademiku shkruan se Shahini nuk ka marrë përsipër asnjë prej përgjegjësive, dhe se vërejtet e tij dhe të kolegëve nuk janë marrë parasysh.

Kujtojmë se Ministria e Arsimit kishte marrë përsipër të diskutonte mbi dy draftet e paraqitura nga Fuga dhe Gjinushi, po në momentet e fundit procedura u ndryshua, dhe u kalua në komisionin e edukimit si një nismë e deputetëve socialistë.

Këta të fundit morën draftin e propozuar nga Gjinushi, dhe e sollën në komisione si iniciativën e tyre ligjpre.

Reagimi i plotë i Fugës:

Pershendetje zonja Besa Shahini, unë mendoj që nuk ka vend fare për të qenë e lumtur kur është fjala për këtë dështim tuajin spektakolar dhe të ministrisë që drejtoni. Ju ishit ngarkuar të përgatisnit dhe të çonit bashkë me akademinë e shkencave projektligjin në qeveri dhe ju nuk e bëtë këtë gjë. Sepse ju nuk arritët dot t’a mbanit përgjegjësinë që ju takonte!

Sepse me urdhër ua morën iniciativën që kishte arritur në fundin e saj. Ju nuk keni pasur as guximin që të publikoni rezultatet e konsultimit me komunitetin e universitarëve të vendit, as të bëni publike atë. Ju nuk keni mundur as të realizoni integrimin e platformave alternative sipas porosisë që Ju kishte dhënë kryeministri Juaj! Ju as keni pranuar t’i dëgjoni zërat kundër asaj që akademia e pareformuar po paraqet me grupin e drejtuar nga Skender Gjinushi.

Roli i ministrisë tuaj në këtë grup ka qenë zero! Ndërkohë që ishit zyrtarisht pjesë e tij si ministri. Ju madje keni refuzuar të takoni akademik që kanë dashur t’ju paraqesin shqetësimet e mëdha për censurën e vendosur në akademi për zërin alternativ. Dhe tani, këtë pafuqi tuaj për paaftësinë tuaj, e paraqisni si lumturi që të tjerë bëjnë si duan me atë që u ishte ngarkuar juve si detyrë! Pranoni të jeni në një mbledhje komisioni ku akademia të jetë e pranishme me përfaqësuesin e grupit të saj të punës, kurse mendimi alternativ të përjashtohet.

Kjo është lumturia juaj? Ju paskeni në plan të zhdukni akademinë e shkencave të Shqipërisë duke e integruar në një të vetme me akademinë e shkencave të Maqedonisë, Malit të Zi ? Sepse në të dy vendet akademikët shqiptarë atje kanë të drejtën e vendeve të tyre ? Këtë historia nuk do t’ua lejojë kurrë! As ne! Unë mendoj se e gjitha kjo është krejtësisht një dështim dhe vjen nga paaftësia juaj në këtë proces. Por, tani kuptoj se përse ndodh. Ju doni t’a zhbëni identitetin e veçantë të akademisë të shkencave të Shqipërisë! Por, komuniteti universitar, dhe unë si pjesë e profesoratit shqiptar nuk tutemi. Historia do e thotë fjalën e saj madje shumë shpejt! Ditë të mbarë Artan Fuga

(E.K/FAXWEB.AL)

Fjalët Kyce

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *