Kreu i shtetit Ilir Meta ka dalë në një deklaratë të jashtëzakonashme për shtyp, ndërsa ka thënë se Kushtetuta e Shqipërisë është e paprekshme dhe “vija e kuqe” për çdo pushtet.
Ai ka kujtuar kohët përmes të cilave ka kaluar vendi që nga themelimi i saj pas referendumit të 1998, Meta shprehet se ajo kufizon çdo lakmi për pushtet të pakufizuar. Sipas Presidentit, situata është dramatike pasi reforma në drejtësi është tjetërsuar, nuk janë ndjekur rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Kreu i Shtetit i është drejtuar popullit duke thë se është e drejta e tij të kërkojë referendum dhe të vendos vetë për fatin e vendit, ndërsa ka bërë thirrje për bashkimin e tij në mbrojtje të Kushtetutës.
“Kushtetuta është ligji suprem dhe trupi i parimeve sipas të cilave drejtohet një vend dhe si një tempull i shenjtë që i shërben shtetit të së drejtës dhe dinjitetit. Sistemi demokratik i një vendi nuk e ka aq për mirë që të ndryshojë Kushtetuta e tij. Kushtetutat kanë lindur në kohë krizash për mbrojtjen nga pushtetet arbitrare. Ajo kufizon lakminë e atyre që duan të jenë të gjithëpushtetshëm. Për këtë arsye ajo mbetet “vija e kuqe” dhe e pakalueshme nga asnjë pushtet.
22 Nëntori i vitit 1998 është një datë historike, pasi për herë të parë populli shqiptar vendosi për Kushtetutën e parë post-komuniste. Populli vendosi se sovraniteti i Republikës së Shqipërisë i përket vetëm atij, përmes përfaqëssimit ose mënyrës së drejtëpërdrejtë. Populli vendosi balancat përmes tre pushteteve dhe vendosi gjithashtu që të drejtat e tij të jenë të pandara dhe të pacënueshme. Kushtetuta e ’98 mundësoi vendosjen e paqes sociale në vend dhe meriton vëmendjen, respektin më të veçantë por që fatkeqësisht ajo u zhbë për interesa të fshehta politike.
Ndyshimet e vitit 2016 gjithashtu kanë nxjerrë në pah të gjitha problemet. Kushtetuta u kthye në rregullore me data e afate, që janë shkelur nga të gjithë. Kjo po çon në paralizimin dhe destabilizimin e drejtësisë në vend. Organet e reja duhet të kenë një trup profesionistësh dhe me dinjitet e jo vetëm emra që mbushin vakancat. Ndryshe nga sa sugjeroi Komisioni i Venecias, zbatimi i reformës në drejtësi vijon të jetë i njëanshëm. Jemi në një situatë akoma më dramatike, ku ajo që rekomandoi Venecia u shkel për rrëmbimin e pushtetit dhe drejtësisë në duart e një personi”, tha Meta.
“Janë kapur të gjithë institucionet. Kuvendi dhe qytetarët janë lënë pa Gjykatë të Lartë, dosje të cilat do duhen vite të shqyrtohen. Kur kanë kaluar mbi 20 mijë ligje që shkelin të drejtat e njerëzve. Fjala e lirë ka rënë në duar të propagandës, populli po shpopullohet. Vendi pa asnjë investim serioz nga Gjermania, Italia, SHBA apo Anglia. Shqipëria nuk mund të drejtohet më me rezolutë por me Kushtetutë. Vija e Kushtetuës është më shumë se e kuqe, ajo është tashmë flakë e kuqe dhe nuk kalohet. Ndal këtyre përpjekjeve e shkatërrimeve, shqiptarët të hapin sytë dinjiteti i tyre po tentohet të shkilet ndaj bëj thirrje të ngrihemi të gjithë së bashku në mbrojtje të Kushtetutës. Do ta mbroj vendin dhe kushtetutën, pasi për këtë jam betuar me dorë mbi Kushtetutë se do e mbroj, të arshmen tonë. Shqipëria e para”, tha mes të tjerash Presidenti i Republikës, Ilir Metai.
(F.GJ/FAXWEB.AL)