Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin e Gjykatës Administrative të Apelit, Bari Shyti.
Vendimi u dha sot pasi dy ditë më parë u zhvillua seanca e përballjes në KPK me gjyqtarin nga trupa gjykuese: Suela Zhegu, Genta Tafa Bungo, Firdes Shuli.
Gjatë kësaj seance ai u përball me raporte negative të vlerësimit për sa i përket 3 shtyllave kryesore.
Relatorja Firdes Shuli tha se trupa me kryesuese Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Suela Zhegu, kishte përfunduar një herë hetimet ndaj Shytit vetëm në kriterin e pasurisë, por më pas kishte riçelur hetimin në të tre kriteret. Sipas Shulit, në fund Shyti rezultonte me bilanc negativ me 8.6 milionë lekë dhe kishte raport negativ nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar.
Bari Shyti e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe ka punuar si gjyqtar në Gjykatat e Bulqizës dhe atë të Dibrës. Në vitin 2013, ai u dekretua si gjyqtar në Gjykatën Administrative të Durrësit dhe prej vitit 2016 e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Apelit.
Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Apelit, Bari Shyti u gjend në vështirësi të martën që lamë pas, kur tek dera e godinës së KPK-së pa një grup qytetarësh që e akuzonin për korrupsion e pasuri marramendëse të padeklaruara.
Pas përballjes me protestat e qytetarëve Shyti u përball në KPK me akuza për deklarime kontradiktore dhe mungesë burimesh prej 8.6 milionë lekësh, si dhe një raport negativ të DSIK për pastërtinë e figures.