OFL iu ka kërkuar deklarimin e pasurisë dy personave të dënuar për vepra të rënda penale, Astrit Balliu dhe Astrit Keçi, që njihen ndryshe dhe si të fortët e Shijakut.
Astrit Keçi është arrestuar në 2018 nga Forcat Speciale Italiane në Shqipëri, pasi akuzohej për krijim grupi të strukturuar kriminal me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike.
Keçi ishte kthyer në Shqipëri që prej vitit 2006 për t’iu shmangur kapjes pas një sërë hetimesh të kryera më 1998 dhe në 2006, dhe për ti shpëtuar burgut. Ai kla qëenë një nga figurat kyçe të të ashtuquajturit “grupi Keçi”, që vepron në Shijak, kryesisht në trafikun e drogës.
Ndërkohë personit tjetër që i është kërkuar pasuria është Astrit Avdyli, që ligjërisht njihet dhe me mbiemrin Balliu. Ai njihet ndryshe dhe si kreu i bandës së Shijakut, ndërsa është gjetur fajtor për akuzën e vrasjes, e ndodhur kjo në vitin 1996.
Familja Avdyli është pronare e dhjetëra bizneseve në Shijak, Durrës dhe disa qytete të tjera të vendit, mes tyre Flamur Avdyli zotëron kompaninë ‘Orges Albania 2016’ dhe hotelin luksoz ‘Germany’ në Durrës.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë, personave që janë subjekt i këtij ligji.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë, shtetasve:
A.B., banues në Shijak, dënuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
A. K., banues në Shijak, dënuar nga Gjykata e Pisas, Itali, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”;
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
Me qëllim evidentimin dhe dërgimin në SPAK, të të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special, OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse.
Për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë, OFL do të informojë publikun në vijimësi.
Discussion about this post