Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, është paraqitur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit në seancën e parë publike. Institucioni i Komisionerit Publik ka ankimuar vendimin e Shkallës së Parë të vettingut, KPK, e cila e ka konfirmuar në detyrë mes polemikash.
Donika Prela ka kërkuar përjashtimin e dy anëtarëve të trupit gjykues. E para është Ina Rama që sipas saj është në konflikt interesi.
“IKP ka paraqitur ankim në KPA për mua. Kam pritur që Ina Rama të jepte dorëheqjen për konflikt interesi pasi në Prokurorinë Durrës unë kam kryer hetime për mbesën e Ina Ramës. Mbesa ka qenë sekretare në Gjykatën e Durrësit dhe kësaj shtetase i është kërkuar plotësimi i dosjes dhe rezulton se ajo shtetase ka refuzuar ta plotësojë për diplomimin dhe është larguar nga puna. Ajo ka bërë pastaj kërkesë për të punuar si psikologe në gjykatë me një diplomë të Kristalit. Pas hetimit nga ana ime ka rezultuar se diploma ka qenë e falsifikuar. Kam kërkuar pezullimin e saj nga detyra, kërkesë e pranuar nga gjykata”, tha Preli.