Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pranishëm në homazhet për kompozitorin Avni Mula, i cili u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 92-vjeçare.
Përveç artistëve, në homazhet që u mbajtën në Universitetin e Arteve morën pjesë edhe figura të politikës si ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i opozitës Lulzim Basha.
Berisha foli para mediave duke shprehur nder dhe respekt për veprën e kompozitorit të njohur dhe për Inva Mulën që e cilëson si divë të operas dhe këngës.
“Avni Mula dha një krijimtari me të cilën ai do jetojë gjithmonë por la dhe një trashëgimi të madhe, një divë të vërtetë të operas të këngës, Inva Mulës. Edhe një herë, nderim, respekt të madh për veprën e tij të kulturës shqiptare”, tha Berisha.
Basha nga ana e tij tha se sot arti është në zi, ndërsa i shprehu ngushëllime familjes Mula.
“Dita e sotme është një ditë dhimbje e madhe, por edhe ditë krenarie. I shpreh ngushëllime familjes, ngushëllime për artdashësin. Është një ditë zie për artin. Arti i Avni Mulës i ka bërë krenare të gjithë.
Është ditë krenarie që kombi ynë pati një artist si Avni Mula. Kjo është një nga të paktet raste kur ceremonia shoqërohet me muzikë. I lutemi zoti që shpirti i tij të prehet në paqe”, tha Basha.