Ish kryebashkiaku i Elbasanit, Ëngjëll Dakli ka ndërruar jetë në moshën 66-vjecare si pasojë e koronavirusit. Ai ndodhej në Turqi ku po kurohej për Covidin, por gjendja e tij është përkeqësuar dhe nuk ia ka dalë që ti mbijetojë sëmundjes.
Për lajmin e trishtë ka reaguar ish kryeministri Aleksandër Meksi, i cili ka bërë një postim të gjatë në Facebook ku shpreh ngushëllimet për familjen dhe kujton Daklin si person të ndershëm në punë dhe demokrat që donte përparimin e vendit.
Meksi përmendi edhe bisedat që ka patur me të ndër vite. Një prej tyre ishte viti 2005 kur i përlotur e telefonoi për ti kërkuar rekomandim për të punuar në një ministri si specialist.
“Me hidhërim të thellë njoftoj miqtë e mi se ka ndërruar jetë Engjëll Dakli, një njeri në kuptimin e plotë të fjalës, i ndershëm në jetë e në punë, specialist i aftë në fushën e tij si inxhinier e në termoenergjitik, fjalëpak e modest. Ishte një demokrat real që e deshte përparimin e vendit.
Jam njohur me të kur ishte deputet (1992-1997), por sidomos kur u bë pjesëtarë i Qeverisë si Ministër i Punë, Përkrahjes Sociale dhe të Përndjekurve Politik (4.12.1994-!!.7.1996). Për mua e kreu me përkushtim, e ndershmëri e më së miri atë detyrë në ato kohë të vështira. E vazhdoj veprimtarinë politike e administrative si kryetar i Bashkisë së Elbasanit (1996-2000) e më vonë në detyra të tjera sipas profesionit të tij.
Gjatë viteve e kam takuar shpesh e bisedonim me qejf e kënaqësi.
Koha kalonte e unë e kujtonja shpesh për një episod, sipas meje të dhimbshëm. Një ditë diku pas 2005 më telefonoi e më tha se deshte diçka prej meje…e lamë takimin e duke pi kafe folëm pë gjithçka por e pash se nuk po më thoshte çfarë deshte prej meje dhe e pyeta.
Me shumë vështirë duke ju dridhur zëri e me sytë ulur më kërkoi një rekomandim që të mund të punonte në një nga Ministritë (e PD) si specialist. Kur mbaroi ishte thuajse i përlotur i thashë i emocionuar , për ta qetësuar, se a pi ujë firma ime…, e qetësova dhe e kryem si i duhej atij. Këtë episod e kujtoj shpesh kur flitet për vlerësime e për kontribute dhe ishte mendimi i parë pas hidhërimit e trishtimit nga lajmi i kobshëm për vdekjen e tij.
Ngushëllime të përzemërta familjes Dakli !!! R.I.P.!”, shkroi Meksi.