Mjeku epidemiolog Ilir Alimehmeti ka folur për situatën e Covidit në vendin tonë duke komentuar masat kufizuese të qeverisë dhe ndikimin që kanë patur tek infektimet. Në një intervistë për Fax News, tha se masa më e rëndësishme është leja e administratës publike për të vijuar punën nga shtëpia ndërsa ajo më me pak impakt është vënia e maskës në ambiente të hapura.
“Përvec grumbullimit me 10 persona, them se masa më e rëndësishme është “smart working”. Ka kaluar nëpër të, por është një leje për administratën publike se kush ka mundësi punon nga shtëpia apo gjen turne, pra minimizon kohën e qëndrimit në punë. Masa e grumbullimit të 10 persona është masë që ka sens por ku mblidhen këta persona, në rrugë, në zyrë? Duhet ta kemi pak kujdes këtë element. Masa më me pak impakt ishte maska në komunitet, e dinim që nuk ishte masë që funksiononte”, tha Alimehmeti.
Sa i përket vendimit për të vijuar mësimin pjesërisht online që nga 1 Dhjetori, Alimehmeti përmendi komentin e drejtorit të CDC amerikane që thoshte se shkollat nuk konsiderohen si vatër e rrezikshme për përhapjen e infeksionit.
“OBSH, CDC europiane, CDC amerikane kanë thënë qartë se shkollat nuk janë burim risku. E thënë qartë në të gjitha raportet dhe drejtori i CDC amerikane, të enjten e kaluar dha një intervistë për shtyp dhe tha kush po mbyll shkollat, e bën si rrjedhojë e një përgjigje emocionale, pra jo e bazuar në të dhëna. Nuk janë fëmijët problem, por të rriturit”, tha Alimehmeti.
Mjeku foli edhe për ndikimin e vaksinës e gripit në forcimin e imunitetit dhe mbrojtjen nga koronavirusi duke thënë se ekzistojnë studime që e vërtetojnë se mund të jetë përgjigje ndaj Covidit.
“Një studim në Brazil nga Universiteti i Baselit të Zvicrës për të parë se kush i vaksinuar kundër gripit, kishte një vdekje ndër 6 më pak. Do të thotë ka një mbrojtje indirekte. Kurse një studim në Britaninë e Madhe pa që kush i merrte njëkohësisht gripin dhe Covidin, kishte një vdekshmëri të shtuar me 127%, pra mbidyfishohej mundësia e vdekshmërisë sepse të paktën eleminon një nga problematikat, diagnoza bëhet më e lehtë nga mjeku dhe vetë vaksina e gripit forcon imunitetin që mund të jetë dhe një përgjigje ndaj Covidit”, tha Alimehmeti. (A.M/Faxweb.al)