Luis Enrique nuk e bën dramë eliminimin me Marokun, duke i komplimentuar kundërshtarët dhe duke iu uruar sukses në çerekfinale.
Trajneri i Spanjës pranoi se skuadra e tij bëri gjithçka mirë, përveç finalizimit, teksa tha se kundërshtarët u shfaqën superiorë vetëm në një pikë, atë të lotarisë së penalltive, ku u treguan më të qetë.
“Ne jemi Spanja dhe duhet ta prezantojmë vendin tonë në të gjithë dimensionet, ndaj i urojmë suksese Marokut për kualifikimin në çerekfinale. Futbolli është një sport i mrekullueshëm, por pak i çuditshëm, pasi kundërshtari bëri më mirë se ne vetëm te lotaria e penalltive”.
“Dominuam gjithë ndeshjen, por në fund e shohim veten jashtë. Tre gjuajtësit e parë i zgjodha unë, por Bono është një portier i madh dhe e tregoi edhe sonte. Keqardhje pasi bëmë shumë mirë, por duhet të presim një tjetër mundësi”.
“Tani nuk është momenti, pasi duhet që si fillim të përtyp këtë eliminim. Më pas, javën e ardhshme do të ulemi të diskutojmë”, ka thënë Enrique.