Shpëtim Ndreca, personit që iu vu tritol mbrëmjen e djeshme në banesë, është vëllai i Bib Ndrecës, ish gjyqtarit të Krimeve të Rënda, i shkarkuar disa kohë më parë nga Vetingu, mes polemikash të forta.
Shpëtim Ndreca është pronar i fabrikës së miellit në Fushë Mamurras, ndërsa nuk dihet nëse ngjarja ka lidhje me bizneset e tij apo me të vëllanë ish-gjyqtar.
Nga tritoli që shpërtheu mbrëmjen e djeshme në Mamurras, fatmirësisht nuk pati persona të lënduar po vetëm dëme materiale, ndërsa hetimet për ngjarjen janë duke vijuar.
Gjyqtari Bib Ndreca ka qenë pjesë e gjykimit të dosjes së famshme 339, dhe dosjeve të tjera të rëndësishme si grabitjen e Rinasit dhe çështjen e ish-deputetëve të Partisë Socialiste, Arben Ndoka dhe Arben Çuko.
Ndreca ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009 dhe është emëruar fillimisht në Gjykatën e Tropojës. Në vitin 2013 u emëra kryetar i Gjykatës së Pukës, ndërsa në vitin 2015 u dekretua si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda.
Ai u shkarkua pasi nuk justifikonte dot blerjen e një apartamenti dhe një investimi që kishte kryer së bashku me familjen e tij.