Faxweb.al mëson detaje të reja lidhur me personin nga Taxhikistani, që është arrestuar në orët e fundit nga Antiterrori në Tiranë.
Komron Zukhurov, 24- vjeç ka mbërritur në Shqipëri nga aeroporti i Rinasit rreth dy muaj e gjysmë më parë. Që kur ka mbërritur në vendin tonë jetonte në një familje nga Taxhikistani në Tiranë.
24-vjeçari ka mbërritur në Shqipëri në mënyrë të ligjshme para se shteti gjerman të lëshonte urdhër-arrestin ndaj tij dhe ta shpallte në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet për ‘Pjesëmarrje në organizatë terroriste’.
”Drejtoria e Antiterrorit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe kapjen e personave me tendenca terroriste apo pjesëtarë të organizatave terroriste, si dhe në kuadër të shkëmbimit të informacionit me homologët dhe agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, ka organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Vizitori”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur identifikimi, kapja dhe më pas arrestimi, për qëllime ekstradimi, i shtetasit të huaj K. Z., 24 vjeç, nga Taxhikistani.
Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi në ngarkim të tij, Gjykata Federale në Karlsruhe, Gjermani, më datë 21.04.2020 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar, për veprën penale “Pjesëmarrje në një organizatë të huaj terroriste”, i dyshuar si anëtar dhe pjesëmarrës i kësaj organizate të huaj terroriste, e themeluar si celulë terroriste në Gjermani për të bërë xhihad në emër të shtetit islamik (ISIS).
Materialet e para hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me qëllim kryerjen e procedurave të mëtejshme ligjore për ekstradimin e këtij shtetas të huaj”, njoftonte Policia mëngjesin e sotëm. (E.K/Faxweb.al)