Fill pasi presidenti Ilir Meta, publikoi një video të 20 viteve më parë, ku Edi Rama shprehej me nota mjaft pozitive ndaj tij, ky i fundit ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, ku thotë se nuk do të hiqte asnjë presje nga ato që ka thënë në të shkuarën.
”Ilir unë s’u heq asnjë presje atyre ç’kam thënë e s’kam asnjë arsye të shqetësohem ç’do mendojë nesër kush do lexojë fjalimet e shkrimet dhe do shohë intervistat e mia, përkundrazi! Po shqiptarëve sot ti duhet t’ua thuash çfarë borxhi të kanë që s’pushon së ngatërruari dynjanë!”, shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.
Presidenti Meta iu përgjigj më herët Ramës, me fjalët që ka thënë vetë për të rreth 20 vite më parë. Meta e falenderonte Ramën për fjalët e mira që ka thënë 20 vite më parë ndaj tij, dhe shton se ato mendime përsëriten dhe në takimet e afërta dhe pa kamera mes tyre. Meta i kërkonte Ramës që të heqë dorë nga varësia prej bandave dhe oligarkëve dhe ti hapë listat 100%.
“Iliri në vetëm dy vote tregoi, se jo vetëm ka vullnetin dhe talentin për të qeverisur, por ka aftësinë të përshtatet me një gjeneratë të re, këtu bëhet ndarja finale”, shprehej Rama në videon e postuar nga ana e presidentit.
Postimi i Metës:
Edi, faleminderit për fjalët e mira që ke thënë për mua 20 vite më parë dhe që m’i thua gjithmonë kur takohemi nga afër. E di vetë ti! Por nesër është një ditë e rëndësishme për shqiptarët, ndaj të lutem mos dëgjo më bandat dhe oligarkët se nuk ja u ka parë kush hajrin!
Koha për një FRYMË TË RE, për një bashkëjetesë qytetare dhe europiane, është tani! Respekto Marrëveshjen e 5 Qershorit dhe të lutem hapi listat, për socialistët në radhë të parë dhe për të gjithë shqiptarët.
Përplasja në distancë mes presidentit dhe kryeministrit nisi paraditen e sotme, kur Rama u shpreh se Meta u ka shumë borxhe shqiptarëve, dhe se ka marrë në dorë kryesimin e opozitës, duke shkelur mbi parimet e institucionit që drejton. Por duket se replikat do të vijojnë dhe mbetet për tu parë cilat do të jenë reagimet e ardhshme të palëve. (E.K/Faxweb.al)