Policia e Tiranës ka ndaluar shtetasin Elis Babo dhe ka shpallur në kërkim kandidatin e LSI-së për deputet Etion Joka, pasi dyshohen për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore. Gjatë ditës së djeshme në disa media u publikuan disa përgjime ku pretendohej se Joka po jepte para në këmbim të votave, akuza këto që janë mohuar nga vetë LSI, ndërkohë që çështja tashmë pritet që të kalojë në SPAK.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ndalimin për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, të shtetasit E. B., 30 vjeç, si dhe shpallën në kërkim për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”,” shtetasin E. J., 32 vjeç, kandidat për deputet i një subjekti politik për qarkun e Tiranës.
Në kuadër të procedimit penal, datë 23.04.2021 të SPAK dhe bazuar në pamjet filmike të transmetuara në media dhe rrjete sociale, këta dy shtetas janë të dyshuar për një rast korrupsioni në fushatën zgjedhore. Shërbimet e Policisë kanë ushtruar disa kontrolle por deri tani nuk është bërë e mundur kapja e shtetasit E. J.
Materialet proçeduriale iu kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në ngarkim të shtetasit E. B., për veprën penale “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, dhe në ngarkim të shtetasit E. J., për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.