Policia ka arrestuar në Pogradec, shtetasin turk, Salih Akkurt, 42 vjeç i cili prej vitesh ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia turke pasi ishte dënuar me 21 vite burg.
42 vjeçari ishte i dënuar për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit” dhe më pasedhe për veprën penale të arratisjes.
Salih Akkturk fshihej në Pogradec dhe për t’u kamufluar shtirej si fizioterapist duke ofruar shërbime për qytetarët. Gjatë kontrollit fizik 42 vjeçariu iu sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare.
Njoftimi i Plotë nga Policia e Shtetit:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Pojska”.
Operacioni, nga Fast Albania, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe me Interpol Tiranën.
Kapet dhe vihet në pranga në Pogradec, një shtetas turk, i shumëkërkuar nga drejtësia turke, i dënuar me 21 vite burgim dhe i larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit. Këtij shtetsi i kanë mbetur për të kryer edhe 10 vite burgim.
42-vjeçari, nga Konya e Turqisë, i dënuar për veprën penale “Mashtrimi i rëndë, duke përdorur sistemet informative të bankave dhe të kartave të kredit”, dhe së fundi i shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, fshihej në Pogradec. Për t’u maskuar, ky shtetas mashtronte qytetarët përmes ushtrimit të profesionit të fizioterapistit.
Shërbimet e Fast Albania, pas marrjes së informacionit se një shtetas, i shumëkërkuar nga Turqia fshihej në Pogradec, organizuan punën dhe pas disa ditë mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Pogradec dhe Interpol Tiranën, finalizuan operacionin policor të koduar “Pojska”.
Si rezultat i këtij operacioni, në shëtitoren “10 Dëshmorët e Pojskës”, u kap dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimi, shtetasi turk:
-Salih Akkurt, 42 vjeç, banues në Konya, Turqi.
Ky shtetas ishte në kërkim ndërkombëtar pasi Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpol Tiranës është njoftuar nga Interpol Ankara, Turqi, se për këtë shtetas, më datë 05.05.2022, është lëshuar urdhër arresti nga Prokuroria e Izmirit, Turqi, në zbatim të vendimit nr. 2020/8992, të datës 30.12.2020, në bazë të të cilit, 42 vjeçari është dënuar me 21 vite, 10 muaj e 15 ditë burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 10 vite e 1 ditë burgim, për veprat penale “Mashtrimi i rëndë duke përdorur sistemet informative, të bankave dhe kartave te kredit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”, të parashikuara nga legjislacioni turk.
Gjatë kontrollit fizik të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan çeqe në shuma të mëdha monetare.
Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Ankara, Turqi, dhe agjencitë ligjzbatuese vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Turqisë.