Presidenti Hashim Thaçi dhe ai serb Aleksandar Vuçiç po marrin pjesë në samitin e liderëve rajonalë e europianë në Alpbach të Austrisë.
Por ndryshe nga herët e tjera, mesa duket presidenti i Kosovës ka thelluar miqësinë me presidentin serb Vuçiç.
Ai, i është referuar presidentit serb në emër “Aleksandër” me të cilin ka nisur dhe bisedimet për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Kemi diskutuar për gati 5-6 vjet me Aleksandrin. Dhe tash kemi vendosur që të hulumtojmë çdo mundësi dhe pozitë dhe nga perspektiva ime përfshirë edhe korrektimin e kufirit për të bërë orvajtjen për të arritur marrëveshjen’, tha Thaçi.
Ai foli në kuadër të një paneli të përbërë nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, nga homologu i tij slloven, Borut Pahor, si dhe nga Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ku si temë ishin perspektivat e reja për zgjerimin e BE-së.
Në fakt presidenti Kosovar nuk është i pari që i referohet në emër Vuçiçit, pasi diçka të tillë e kishte bërë më parë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, pikërisht në Austri, në Vjenë.
“Mesa duket Aleksandri trajtoi pjesën “fast”, kurse unë do trajtoj atë “furious”, duke filluar që nga gjëja e parë që dua të vë në dukje. Jemi të lumtur që po takohemi me Shoqërinë Civile, por kjo nuk do të thotë se u desh të vinim në Vjenë që ta bënim këtë, pasi ne e bëjmë gjithë kohës, diçka të tillë. E kemi bërë çdo ditë për shumë vite me radhë”, kishte thënë ndër të tjera Rama.
Pas vizitës në Serbi ku Rama pohoi në sytë e kryeministrit serb se “Kosova ishte e pavarur”, diçka që ai e kishte dëgjuar me qindra herë nga liderët më të fuqishëm që dhe e kishin bërë realitet pavarësinë e Kosovës, mediat në Kosovë por edhe në Shqipëri e ngritën në piedestal kryeministrin shqiptar duke e etiketuar si “patriot”.
Megjithatë nuk do të kalonte shumë kohë nga ‘dalldia e rrejshme’ e patriotizmit për të kuptuar se fjalët dhe shashkat i merr era.
Diskutimet Ramën si “liderin global” dhe të “përzgjedhurin e Merkel” morën një kahje tjetër pikërisht në samitin e Vjenës në vitin 2015, aty ku Serbia e “Aleksandrit”, siç e quajti kryeministri shqiptar, presidentin serb, mori 13 projekte, ndërsa Shqipëria mori vetëm një projekt.
Kaq mjaftoi që , ‘mendje të ftohta’ të adresonin kritika në drejtim të Ramës për mungesë serioziteti pasi deklaratat prej ‘show-meni’ nuk sillnin ndonjë përfitim.
Por sot në Vjenë situata është shumë serioze, po diskutohen projekte shumë më të rëndësishme. Presidenti i Kosovës ka vënë në ‘tavolinë’ kufijtë e shtetit.
Pavarësisht kundërshtive të mëdha në Kosovë por edhe në Shqipëri se kjo nuk është në interes të shtetit të Kosovës por dhe të kombit, Thaçi duket i vendosur për ta çuar deri në fund idenë e tij me “Aleksandrin”, i cili këtë herë nuk do të fitojë mesa duket thjeshtë ca projekte investimesh, por veriun e Kosvës, ku janë të përqëndruar pasuritë e mëdha natyrore.
E ndërsa dihet pothuajse sigurtë se çfarë do të humbin shqiptarët, mbetet e paqartë se çfarë lëshimi ka bërë i “përkëdheluri” i Thaçit dhe Ramës, Aleksandri. Frika është se do të japë ca territore pa ndonjë vlerë të madhe, dhe të ndajë Luginën e Preshevës, duke mbajtur pjesën ku kalon hekurudha me rëndësi ndërkombëtare.
(B.H/Faxweb)