Presidenti Ilir Meta ka folur pas homazheve të mbajtura në nderim të politikanit të njohur Bashkim Fino, i cili ndërroi jetë këtë të hënë nga Covid-19.
Në fjalën e tij për mediat, Meta e cilësoi Finon si një njeri bujar, zemërgjerë, tolerant, i cili dinte të dallonte politikën nga shoqëria.
Meta:
Bashkim Fino ishte një nga miqtë e mi më të mirë. Për arsye se në një moshë shumë të re u bë një figurë frymëzuese si kryetar bashkie, ishte faza e përzgjedhjes time në atë ditë të çmendur të 97-ës. Detyrë që ai e bëri në mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe po kështu unë kam shumë kujtime të veçanta me të.
Ai gjithmonë ishte një përkrahës i të rinjve dhe ishte dhe një burrë tepër sportive, i dhënë pas sportit dhe kjo na bashkonte. Ishte shumë njerëzor, bujar zemërgjerë, tolerant dhe dinte të dallonte politikën nga shoqëria.
Sot ishte një moment shokues, pavarësisht se kishte pasur disa sfida me shëndetin që i kishte kaluar me sukses. I shpreh ngushëllime familjarëve , të gjithë qytetarët e Gjirokastrës, PS, pasi ishte një nga figurat kryesore në këto 3 dekada të gjithë për dimensionin e tij shoqëror.
Kujtojmë se deputeti socialist, Bashkim Fino është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, duke ndërprerë në mes rrugëtimin e tij politik, ndërsa ishte kandiduar i katërti në listat e qarkut të Fierit për zgjedhjet e 25 Prillit.
Fino ndodhej i shtruar në një spital privat në kryeqytet, por gjendja e tij ishte rënduar shpejt, dhe mjekët e kanë pasur të pamundur që ta mbajnë në jetë politikanin.
Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajturpo ashtu disa poste ministrore.
Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.
(R.G/Faxweb.al)