14 vite më parë, 34-vjeçari Kreshnik Haxhiaj u përfshi në një vrasje në qytetin e Istogut në Kosovë. Ai vrau një person dhe plagosi një tjetër, pas një konflikti të çastit dhe shkëmbimit të zjarrit mes palëve. Që prej atij momenti, ai është arrestuar dhe dënuar disa herë krimi që ka bërë 14 vite më parë vazhdon ta përndjekë edhe sot.
I ftuar në emisionin Uniko nga Spartak Koka, Kreshnik Haxhiaj ka rrëfyer se çfarë ndodhi në vitin 2006 në Kosovë dhe si u përfshi në atë krim, ndërsa sot kërkon që ti kthehen dokumentet e tij, në mënyrë që të vazhdojë jetën pranë familjes.
“Më 20 Gusht 2006 rreth orës 05:45 të mëngjesit, kam pasur një konflikt çasti me të ndjerin Jakup Osmanaj, dhe një tjetër të plagosur. Pas lufte në Kosovë, çdo shqiptar që ka shkuar në Kosovë është cilësuar si hajdut. Në atë moment ai më kërkoi që unë të shkoja me të në një vend që nuk e dija se ku dhe e pyeta se ku do të shkojmë. Ai më tha atë e di unë. E takova në rrugë magjistrale.
Edhe aty në rrugë vazhdoi të përdorte dhunën, më kapi, u tregua i ashpër. Siç është përshkruar sipas prokurorisë, se janë fakte të papërshkrueshme, ai ka menduar që unë jam hajdut. Unë kam vazhduar që të iki. Ai më ka kapur prej fyti, ka dashur të më binte, i kam thënë mos gjuaj se të kushton shtrenjtë. Kam vazhduar, i kam thënë ma lësho dorën. Kam vazhduar të iki, ku ai më ka thënë që ‘s’mund të ikësh se të vras’”.
Por pas konfliktit fizik mes të dyve, pati shkëmbim zjarri nga të dyja palët. Kreshnik Haxhiaj tregon se mbante një pistoletë me vete dhe u detyrua të qëllonte, kur pa se personi me të cilin po konfliktohej hapi zjarr.
“Unë vazhdova të ikja, dhe mbase nga inati që s’mundi të më kapte, kam dëgjuar pistoletën që është mbushur pas meje, e kam dëgjuar pistoletën kur është futur fisheku në grykën e pistoletës. Në atë moment i kam thënë që mos gjuaj. Ky, po në ato momente, i ka thënë një qytetari aty që ka qenë në rrugë, sipas shkresave del që është i plagosuri Ali Bicaj.
Ata njiheshin më përpara, paçka se i plagosuri i mohon ato. Ai në ato momente ka dalë me të dyja duart për të më ndaluar, dhe unë i kam thënë mos më ndal se të vras. Unë kam gjuajtur në ajër me qëllim frikësimin dhe që të ndalojnë zjarrin ndaj meje sepse në ato momente jeta ime ishte në rrezik. Në momentin që është hapur zjarr herën e parë ndaj meje, unë kam mbushur pistoletën time.
Në momentin që është hapur zjarr herën e dytë, plumbi më ka kaluar aq afër. Kur kam parë që nuk isha gjakosur, ngrita dorën lart dhe kam qëlluar me qëllim frikësimin e personit”, është shprehur Kreshnik Haxhiaj.
Ajazi tregon se ka vuajtur një dënim prej 1 vit e katër muaj burg për armëmbajtje pa leje, dhe jo për vrasje, pasi ai tregon se ka vepruar në kushtet e vetëmbrojtjes. Më pas i riu tregon se ka vuajtur një dënim me 3 vite burg në Shqipëri për përdorimin e marjuanës, ndërsa pas daljes së herë të dytë nga burgu, ka ikur drejt Suedisë ku është martuar dhe ka krijuar familjen e tij.
Ai është arrestuar më pas në Suedi, dhe në vitin 2014 është ekstraduar sërish në Kosovë, për tu përballur me ngjarjen e vitit 2014, përmes një urdhëri ndërkombëtar arrestimi.
Gjatë gjykimit në Kosovë, Haxhiaj thotë se ai është mbajtur në burg për 1 vit e gjysmë edhe pse nuk kishte prova, dhe u lirua në 2015 sërish për mungesë provash. Haxhiaj dëbohet në 2017 në Belgjikë me pretendimin se ishte pa dokumente të rregullta, dhe arrestohet në Rinas me pretendimin se ndaj tij kishte një urdhër arrest në Interpol.
Haxhiaj tregon se ai është ekstraduar nga Shqipëria sërish drejt Kosovës, ku Apeli ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë. Ai ka qenë në burg deri para një muaji në Kosovë, ndërsa sipas tij dënimi përfundimtar ka qenë me 5 vite burg, dënim të cilin ai e ka kryer.