Fax News ka siguruar dosjen e plotë të SPAK, i cili ka mbyllur hetimet për dosjen e Laert Haxhiut, Orgest Bylbylit dhe Anterio Kaloshit. Ky grup i strukturuar kriminal akuzohet për disa krime si vrasje, plagosje, vjedhje, trafik droge si dhe janë autorë te masakrës së ndodhur në 11 shtator 2017 në Lushnje, ku humbën jetën Jurgen Hoxha dhe Samir Latifi.
Ata akuzohen edhe për tentative e vrasjes së nipit të Aldo Bares, Xhuloi Shkurtit.
Sipas dosjes së përgatitur nga prokurorja Doloreza Musabelliu, Laert Haxhiu akuzohet për “Krijim i grupit të strukturuar kriminal” dhe për “Vrasje me paramendim për hakmarrje e mbetur në tentative” ndaj shtetasit, Xhulio Shkurti, që është edhe nipi i Aldo Bares.
Ai gjithashtu akuzohet për vrasjen e 2 personave, konkretisht të Zamir Latifit, Jurgen Hoxhes dhe për tentativën e vrasjes së Marius Xhepaxhiu dhe Bujar Turkut, ngjarje e ndodhur në 11 shtator 2017.
Ndërkohë, Orgest Bilbili akuzohet gjithashtu për tentativën e vrasjes së nipit të Aldo Bares dhe për pjesëmarrje në grup kriminal. Ai akuzohet edhe për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.
Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Anterio Kaloshit, pjesë e grupit kriminal të Leart Haxhiut dhe Orgest Bilbilit. Kaloshi akuzohet për tentativën e vrasjes së Xhuloi Shkurtit, nipit të Aldo Bares dhe për pjesëmarrje në grup kriminal. Ai akuzohet edhe për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës.
Detajet e masakrës në 2017
Më 11.10.2017 rreth orës 18:06 minuta, në lagjen “Loni Dhamo” në trotuarin përpara lokalit të M.Xh po qëndronin bashkë Jurgen Hoxha, Zamir Latifi, Marjus Xhepexhiu, Sajmo Xheliu, Kristian Shkurti, Xhulio Shkurti (ku u fundit u largua pak minuta para krimit për të shkuar tek berberi). Gjatë këtij moment, thuhet në raportin e siguruar nga SHQIP, ka ardhur një automjet, prej të cilit kanë zbritur tre persona dhe kanë qëlluar me armë duke vrarë Zamir Latifin dhe Jurgen Hoxhën dhe duke plagosur Marjus Xhepexhiun dhe Bujar Turkun.
Pas sulmit me armë, autorët e ngjarjes, të pandehurit Orgest Bilbili, Laer Haxhiu dhe Anteroi Kaloshi janë larguar nga vendi I ngjarjes me automjetin e tyre.
Plagosja e nipit të Aldo Bares në 2016 për një ofendim?
Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, u plagos me armë në vitin 2016 në një lokal në Lushnje, ngjarje për të cilën është dënuar në mungesë me 18 vite burgim Laert Haxhiu.
Babai i Laertit, Qamil Haxhiu gjatë një interviste për mediat tha se konflikti mes djalit të tij dhe nipit të Aldo Bares nisi për një ofendim, që sipas tij Xhulio Shkurti i bëri djalit të tij Laertit. Sipas deklaratave të Qamil Haxhiut, sherri nisi për makinën e Laert Haxhiut, për të cilën Xhulio Shkurti i kishte kërkuar llogari ku i kishte gjetur paratë për ta blerë.