Presidenti i vendit Ilir Meta, përmes një postimi në facebook¸ ka reaguar në lidhje me heqjen e pasaportave diplomatike për futbollistët pjesëmarrës në Euro 2016.
Meta e cilëson vendimin e qeverisë si një veprim të pabesë dhe hakmarrës që vjen si rrjedhojë e qëndrimeve kritike të disa kuqezinjve për sportin.
Meta thekson se më 25 Prill koha e vendimeve autoritare do të përfundojë.
Postimi i plotë: Vendimi i pabesë për ndërprerjen e vlefshmërisë së pasaportave për Kombëtaren tonë të futbollit është i paprecedent dhe një hakmarrje primitive, për shkak të qëndrimeve kritike të disa futbollistëve për sportin.
Është absurde të pengohen të mbajnë pasaportë, kuqezinjtë, që e futën Shqipërinë në Europë dhe na bënë të gjithëve krenarë, ndërkohë që vazhdojnë ta mbajnë atë faqezinjtë, që na lanë jashtë Europës dhe që po na turpërojnë.
Jam i bindur se më 25 prill 2021, do të përfundojë koha e vendimeve autoritare, arrogante dhe përjashtuese.
Ky vendim i Qeverisë ende në detyrë do të përmbyset dhe nderimi për kuqezinjtë, që na çuan në Europë do të mbetet i pacenuar.