Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashTe FunditTe Gjitha

“Hante pilafin për 7 palë qejfe”, qytetari denoncon shoferin: Ndaloi disa herë gjatë rrugës dhe grindej me pasagjerët (VIDEO)

Një qytetar ka denoncuar në “Faxweb.al” sjelljen e një shoferi gjatë udhëtimit me linjën Korçë-Tiranë. Sipas qytetarit, në fillim autobusi u vonua të nisej, ndërsa më pas ndaloi disa herë në fshatrat e Korçës.

“Udhëtimi Korçë-Tiranë, ku autobusi sipas orarit supozohet të niset në orën 6 fiks, u nis në 6 e 10 minuta. Autobusi që në fillim ndaloi disa herë nëpër fshatrat e Korçës për gjëra që si morëm vesh, pastaj ndaloi për një defekt me makinën që u duk sikur i dha zgjidhje, dhe pastaj disa herë të tjera që mblidhte njerëz nëpër fshatra. Në orën 7 e 30 ishim në Pogradec, kur supozohet të ishim për 40-50 min”, tha ai.

Ai tregoi se defekti i makinës i shoqëroi gjatë gjithë rrugës dhe për këtë arsye ndalesat ishin të shumta.

“Pasi kaluam Pogradecin, dhe ishim në një fshat jashtë tij u dëgjua sërish defekti i makinës dhe zotëria hapi krahun dhe ndejti atje 15-20 minuta ku të gjithë filluan të stresohen jo vetëm për vonesën sepse shkoi ora 8 dhe s’kishin bërë as gjysmën e rrugës, por edhe për sigurinë e tyre.

Diku tek 6-7 persona u larguan dhe u detyruan të merrnin taksi e të paguanin më shumë vetëm sepse s’kishin kohë të prisnin shoferin. Dhe ky i fundit pati debat me një prej tyre”, tha qytetari për “Faxweb.al”.

Ai shtoi se udhëtimin e zgjati edhe më shumë ndalesa në Librazhd, ku sipas tij, shoferi i autobusit u ul të konsumonte diçka, por u vonua për minuta të tëra pa e vënë “ujin në zjarr” për orarin.

“Sikur mos të mjaftonin gjithë këto ndalesa, u desh të ndalonim mirë e mirë në Librazhd, për të bërë pushimin. Ku shoferi mbasi mbaroi pilafin me qetësinë e tij, e lau dhe autobusin në lavazh e pastaj u kujtua se kishte një rrugë për Tiranë.

Dhe as që e kontrolloi makinën për defektin që kishte pësuar. Do ti që në Elbasan i ndodhi prap? Tani ishim në kërkim të një servisi, peripecitë s’kishin të sosur. Mbasi e gjeti servisin dhe u vonua 10-15 minuta aty, u nisëm për Tiranë”, theksoi qytetari.

Sipas tij, vulën e gjithë “peripecive” e vendosi ndalimi nga policia tek rrethrrotullimi i TEG. Qytetari tregoi se në këtë moment shoferi nisi edhe të zihej me pasagjerët, duke i akuzuar se e kishin denoncuar në polici.

“Kemi qenë në rrethrrotullimin e Teg në orën 9:50. Aty e ndaloi policia. Dhe i thanë se e kanë denoncuar tek komisariati digjital se kishte marrë pasagjerë nëpër rrethe, të cilën shoferi po e mohonte dhe shumë i revoltuar hyn brenda në autobus dhe i drejtohet një zotërie me shumë nerva ku i thotë: “Ke për ta parë, ti që spiunon në polici.””, u shpreh qytetari.

Në fund, ai bëri thirrje që oraret e pasagjerëve të respektohen më shumë dhe shoferët të jenë më të ndërgjegjshëm.

“E dimë që problemet me makinën mund të ndodhin papritur, por kontrolli duhet të bëhet shpesh për këto mjete transporti që çdo ditë transportojnë qytetarë.

Por edhe shoferi duke ditur se të gjithë ishim të angazhuar, s’duhet të ndalonte 30 herë për të grumbulluar pasagjerë nëpër fshatra dhe kur ndaloi në Librazhd të shihte problemin dhe jo të hante pilafin për 7 palë qejfe, sepse mbi supe mban përsipër dhe sigurinë e personave që merr”, tha qytetari.

Fjalët Kyce
Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *