Një bankë e nivelit të dytë është grabitur para pak minutash në qytetin bregdetar të Durrësit në lagjen 12 ndërsa Policia ka dhënë informacion zyrtar për ngjarjen.
Faxweb.al raportoi më herët se banka e grabitur është “Kredo.al”, ajo që shikoni në foton e mësiprërme ndërsa mësohet se janë marrë prej aty 1 milionë lekë.
Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:24 nga një person ende i paidentifikuar i cili dyshohet se ka kërcënuar punonjësit me një armë zjarri duke arritur të merrte lekët mbi banak.
Njoftimi i Policisë:
Në Durrës, në lagjen nr 12, në një rrugë dytësore, në filialin e një banke të nivelit të dytë, rreth orës 14:24, një person ende i paidentifikuar dyshohet nën kërcënimin e një sendi të ngjashëm me armë zjarri pistoletë ka marrë lekët mbi banak, një shumë rreth 100.000 lekë dhe është larguar me vrap
Shërbimet e Policisë së Durrësit me marrjen e njoftimit janë vënë në ndjekje të autorit ku është rrethuar zona në një perimetër të gjerë.
Sipas Policisë, në kontroll të zonës është angazhuar edhe FNSH dhe forca e posaçme “Shqiponjat”, ku vijon kontrolli edhe me pika kontrolli në rrugica e rrugë kryesore.
Grupi Hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po vijon punën për administronin e çdo prove që do shërbejnë në identifikimin dhe më pas kapjen e autorit.
(F.GJ/FAXWEB.AL)