Kambisti Ibrahim Dulla që ra pre e grabitësve mbrëmjen e sotme në qytetin e Sarandës ka deklaruar se një nga autorët po e priste në ashensor.
“Në ashensor po më priste një. Kurse thonë që ishin edhe dy veta jashtë, një vajzë dhe një djalë” tha kambisti jashtë kamerave për Abc.
Mbrëmjen e sotme, kambisti Ibrahim Dulla ra pre e një kurthi të tre grabitësve, të cilët e dhunuan dhe më pas i morën 5 milionë lekë teksa ai po futej në ashensorin e pallatit të tij.
Sipas burimeve, të përfshirë janë 3 persona, dy burra dhe një grua, por policia në njoftimin zyrtar thotë se i përfshirë është vetëm një person që ka shtyrë kambistin dhe i ka marrë një shumë parash.
Njoftimi:
Sarandë/Informacion paraprak
Me datë 07.05.2021, rreth orës 19:45, në lagjen nr.4, Sarandë, 1 person ende i paidentifikuar, në hyrje të një pallati ka shtyrë shtetasin I. D., rreth 60 vjeç dhe i ka marrë një shumë parash.
Nga ana e Policisë po bëhet krehja e zonës, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorin.
(E.H/Faxweb.al)