Për të tretën herë banorët e Labinotit-Fushë në Elbasan protestuan kundër rrëmbimit sipas tyre të pronës publike dhe private, ndotjes së ajrit, lumit Shkumbin dhe marrjes së ujit nga kompania e peshkut Rozafa.
Sot banorëve iu premtua një takim i hapur ku do të ishte i pranishëm numri dy i PS-së Taulant Balla, kryebashkiaku Llatja, përfaqësues nga policia por në orët e para të mëngjesit takimi u anulua. Kjo ka sjellë indinjaten e banorëve të cilët të prerë në besë i kërkuan llogari kryetarit të njësisë administrative. Ky i fundit nxitoi të bëj përgjegjës për anulimin e takimit virusin.
Ndonëse në një situate të vështirë kryeplaku i fshatit bashkohet me pretendimet e banoreve, duke pranuar se ndotja është prezente në zonë nga aktiviteti i fabrikës.
Protesta u mbështet nga avokati dhe aktivisti Altin Goxhaj. Ai u kërkoi banoreve të mos i ndalin protestat por t’i shoqërojne me aksione ligjore.
“Duhen shoqëruar protestat me aksion ligjor, siç ndodhi dhe në rastin e Astirit, mungesa e aksionit ligjor, bëri që ata një ditë të lodheshin. Nuk mundesh që të përballesh me këto gjykata, që kanë frikë kamzhikun e qeverisë përmes Vetingut. Në këtë rast duhet të bëhen padi kolektive, dhe grupi i madh kur shkon në Gjykatë, ka më shumë impakt. Helmi nuk ka ngjyra dhe nuk ka as parti, nëse ju ju marrin tokën, ju nuk keni më pse qendroni këtu. Dy rrugë keni ju , o të qendroni bashkë, ose të merrni valixhet dhe të ikni”, shprehet Goxhaj.
Avokati tregoi dhe një ngjarje nga jeta e tij, kur është plagosur në 1998, nga disa persona që kishin dashur ti merrnin furgonin, që e përdornin për furnizimin e dyqanit të familjes.
“Unë në jetën time kam ngrënë një plùmb, isha me babain tim, në 98, erdhën që të na merrnin furgonin, na nxorën armët dhe na gjuajtën, pranova që të rrezikoja jetën time, vetëm e vetëm që të mos e merrnin pronën tonë. Ky është mesazhi që ju duhet ti jepni armikut. Trimëria është shumë e rëndësishme, por ajo duhet të mbështetet me bazë ligjore”, tregoi më tej avokati.