Është zbardhur dëshmia e Arjan Tases, punonjësi i policisë Elbasan i cili ditën e djeshme i mori jetën 7-vjeçares në plazhin e Potamit.
Tase ka pranuar në polici autorësinë e krimit dhe ka treguar se në momentin kur ka goditur vajzën gomonia ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme, duke bërë një rrotullim në vend.
Sipas tij kjo ka sjellë goditjen nga pas me helika të vajzës së mitur. Më tej Arjan Tase ka deklaruar se gomonia i përket djalit të xhaxhait të tij, dhe ai e kishte marrë në përdorim.
Ai ka treguar se mëngjesin e djeshëm ka shkuar me makinë në Porto Palermo dhe aty ka marrë gomonen. Nga Porto Palermo ai ka udhëtuar me gomone drejt Potanit ku do merrte gruan dhe fëmijët për ti nxjerrë shëtitje në det.
Sapo familja e policit ka hipur në gomone, Tase i ka dhënë gomones mbrapsht për të dalë bregu në det. Por në këtë moment gomonia ka marrë shumë gaz dhe ka bërë një rrotullim të menjëhershëm në vend.
Tase ka deklaruar gjithashtu se është i pajisur me leje drejtimi të mjeteve lundruese. Ai kishte shërbyer fillimisht si shef i komisariatit të Himarës, dhe pas akuzave se ka ndihmuar grupet kriminale në kultivimin e kanabisit, ishte pezulluar nga detyra, dhe më pas ishte emëruar shef i policimit në komunitet në Elbasan.
Ai u shkarkua dje nga detyra me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të policisë së shtetit, Gledis Nano.