Gjykata e Elbasanit për shkak te afateve hetimore, ka liruar dy rusët Svetlana Timofevaa dhe Mikhail Zorin si dhe ukrainasin Fedir Alpatov.
Mësohet se Timofeva dhe Alpatov do të qëndrojnë nën masën detyrim paraqitje dhe Zorin arrest shtëpiak. Kjo masë do të jetë në fuqi deri në mbyllje të hetimeve.
Fund gushtin e vitit të shkuar Sveltana Timoveva bashkë me Mikhail Zorin dhe Fedir Alpatov tentuan të hynë në ish-zonën ushtarake në Gramsh dhe hodhën spray djegës tek rojet ushtarake të objektit.
Pas arrestimit dhe ngritjes së akuzave për spiunazh atyre u është caktuar masa e arrestit me burg masë e lënë në fuqi edhe nga apeli Durrësit.
Prokuroria Elbasan ka kërkuar lirimin e 2 rusëve dhe ukrainasit për shkak të përfundimit të afatit të paraburgimit dhe gjykata ka vendosur të pranojë kërkesën e Prokurorisë.
Burime për FaxNews bëjnë me dije që teknikisht ka qenë i pamundur zbërthimi i telefonave që mund të përmbanin prova për implikimin ose jo të tyre.
Ndonëse i është bërë kërkesë SPAK-ut, por për shkak të ngarkesës kanë skaduar afatet.
Megjithatë, hetimet vazhdojnë e pengohen të dalin jashtë vendit.
Njoftimi i Prokurorisë: Njoftim për media
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan njofton se ditën e djeshme më datë 24.05.2023 ka depozituar në gjykatë kërkesën për konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit për dy shtetas rus M.Z dhe S.T si dhe për shtetasin ukrainas F.A të paraburgosur në kuadër të procedimit penal nr.1168/2022.
Kjo kërkesë është depozituar në zbatim të përcaktimeve ligjore të parashikuara nga nenet 263 dhe 264 të K.Pr.Penale për shkak se janë plotësuar afatet ligjore të paraburgimit dhe hetimet paraprake nuk kanë mundur të përfundohen për arsye të kompleksitetit dhe vështirësive të hetimeve, ku të dhëna konkrete priten nga ekspertime që janë duke u kryer në agjensi ligjzbatuese partnere.
Në zbatim të nenit 266 të K.Pr.Penale është kërkuar në gjykatë që për nevoja të vijimit të hetimeve ndaj të hetuarve S.T dhe F.A të caktohen masat e sigurimit detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore dhe ndalim për të dalë jashtë shtetit (n.233 dhe n.234) dhe ndaj të hetuarit M.Z masa e sigurimit arrest në shtëpi (n.237).
Cështja do të shqyrtohet në seancë nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.