Në orët e vona të pasdites së djeshme u arrestua në ambientet e Xhamllikut në kryeqytet Safet Bajri, i forti i Shkodrës që dyshohet se pas aktivitetit kriminal në Belgjikë u vinte gjoba biznesmenëve në qytetin verilindor.
Mësohet se RENEA ka ndërhyrë fillimisht në zonën e Dovbraçit në Shkodër dhe në momentet kur nuk e ka gjetur atje, ka ndërhyrë në Tiranë, ku ka bërë të mundur dhe shoqërimin e tij në ambientet e drejtorisë së policisë.
Mësohet se në këtë aksion në total janë lëshuar rreth 15 urdhër ndalime, që në shumicë kanë pasur lidhje me fisin Bajri, ndërsa ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga ana e policisë lidhur me veprat penale për të cilën ata akuzohen.
Safet Bajri ka një llogari të hapur me drejtësinë belge për shkak se ka një dënim me 9 vite burg atje, për akuza të ndryshme që lidhen me trafikimin e qenieve njerëzore dhe drogës.
Në rast se atij do ti hapet një çështje në vendin tonë, atëherë kjo do të sillte dhe bllokimin e ekstradimit të tij në drejtim të Belgjikës. Bajri është kthyer dhe në një mollë sherri për politikën në vendin tonë, ndërsa janë denoncuar lidhjet e tij me deputetët e PS-së në Shkodër.
Vetë deputeti socialist Luan Harusha në një prononcim që ka bërë pak kohë më parë për Fax News është shprehur se akuzat nuk qëndrojnë, pasi njohja e tij me Safet Bajrin ka qenë vetëm për shkak të afërsisë që ka pasur mes banesave të tyre në Shkodër.
Operacioni i natës së djeshme është në vijim të disa aksioneve që FNSH dhe RENEA kanë ndërmarrë në disa qytete kryesore të vendit, që shihen si vatra ku mund të fshihen kriminelë të ndryshëm.
(E.K/FAXWEB.AL)