Nga Holta Heba
Rritemi dhe veprojmë çdo ditë në disa kushte të caktuara, të cilat mund të jenë gjeografike, kulturore, natyrore dhe shoqërore. Hapësira ku jetojmë është e ndërlidhur fort me vetë shqisat tona si dhe me vetë vlerat e formimit tonë. Kjo hapësirë është një lloj pasaporte që na identifikon dhe na dallon nga të tjerët. E ndërtojmë dhe krijojmë dhe e shfrytëzojmë në bazë të shijeve kërkesave dhe mundësive që na ofrohen.
Përpiqemi t’i marrim më të mirën mjedisit duke shfrytëzuar çdo të mirë të tij dhe duke treguar ndjeshmëri të lartë përkujdesjeje. Kjo e fundit lidhet me mprehjen e shqisave tona, duke i mbajtur këto të fundit gjithnjë në gadishmëri të lartë për të marrë më të mirën dhe për ta ruajtur po këtë të mirë me fanatizëm të madh.
Ne njerëzit dhe hapësira ku jetojmë nuk mund të shihemi si dy elementë të ndarë nga njëri-tjetri për aq kohë sa përparimi apo degradimi i të dyve është në varësi të ndërveprimit dypalësh.
Nëse veshit tënd nuk i bën përshtypje zhurma e mjedisit, do të thotë se gjendja jote mendore e është mësuar me këtë zhurmë duke përfshirë këtu edhe normat shoqërore, të cilat ndikohen nga humbja e ndjeshmërisë apo nga reagimi i fortë ndaj saj.
Nëse zhurma komunikon shqetësim për veshin tënd, atëherë kjo shqisë reagon dhe përcjell mesazhin se ty nuk të pëlqen degradimi prej zhurmës. Nëse veshit i komunikohet një melodi, apo një tingull i bukur e i paqtë, nuk ka arsye pse të mos e pranosh që të bën të ndihesh mirë dhe është e shëndetshme për ty.
Nëse syri yt vetëm sheh ashtu kot rastësisht pa vëmendje, atëherë të jesh i bindur që nuk ke pare asgjë. Të shohësh do të thotë që të hedhësh një vështrim të kujdesshëm rreth asaj që të përket, dhe në rast se e sheh të dëmtohet, të reagosh dhe të ngresh zërin për të patur një mjedis të denjë për të jetuar në harmoni me të dhe me gjithë të tjerët.
Nesë ajo që të përket është e bukur dhe po vijon të jetë në të mirën tënde, të reagosh dhe të kontribuosh për ta çuar përpara. Të mos flasim pastaj për rastet kur nuk sheh hiç me syrin tënd por me syrin e tjetrit, lentet e të cilit të imponohen në varësi të pakteve që ke bërë me të. Nëse syri të sheh diçka të bukur, të pastër dhe të mirëndërtuar, nuk ka asgjë të keqe ta thuash me zë dhe ta pranosh me ndërgjegjie të plotë se qenka vërtet mrekulli.
Nëse të ndodh të jesh përpara një pirgu plehrash dhe thjesht e kapërcen pa të bërë përshtypje, mos u trondit kur pas disa ditësh ai pirg të jetë bërë mal dhe të të pengojë të dalësh nga shtëpia. Sikur të gjithë të kishin këtë sens shikimi të pandërgjegjshëm për çka mund të sjellë ky degradim, apo sikur të gjithë të mos kujdesen për pirgun e plehrave sa është i vogël, mali shumë shpejt bëhet jo një por shumë.
Të shohësh plehra dhe të ndjesh kundërmimet e tyre pa reaguar, edhe pse tashmë je i ndihmuar disi nga maska me detyrim do të thotë se nuk je aspak në rrugë të mbarë për shëndetin tënd fizik dhe mendor. Është e qartë se në këtë kohë kolere që po jetojmë, ku Covid 19-të po na merr jetën, ajri i ndotur apo tumpanat shurdhues zënë vend të dytë.
E megjithatë, psiqika duhet të jetë në vëmendje të plotë ndaj gjithë elementëve shkatërrues të mjedisit, por edhe atyre plot pastërti e rregull, sepse në fund të fundit mjedisi je ti vetë. Një mirëadministrim i hapësirës nga ku merr frymë kërkon që shqisat të jenë gjithnjë në gadishmëri për të reaguar pro ose kundër, mjaft të mos qëndrosh i fshehur pas maskës mbrojtëse.
Kur ti nuk e do dhe respekton mjedisin ku jeton, mos prit që në një të ardhme të kesh përfitime prej tij, madje mos u tremb e mos u zhyt në panik kur ai të ka paralajmëruar se nuk mban e duron dot më. Çdo dëm kundrejt mjedisit, përkthehet si dëm kundrejt teje, ashtu sikurse çdo e mirë kundrejt tij kthehet në përfitim për ty. Qëndro gjithë sy e veshë ndaj padrejtësive që mund t’i bëhen. Qëndro gjithë sy e veshë për të kuptuar se kush është më e mira për ty.
Nuk i dihet… koha ka treguar se vetë mjedisi ka reaguar me ose pa paralajmërim.