Bundestagu gjerman përmes njërit nga drejtuesit kryesorë të CDU\CSU, Johan Vadeful, kërkoi miratimin pa ndryshim të marrëveshjes mes palëve për Kodin Zgjedhor, të arritur në 5 Qershor në Këshillin Politik.
Vadeful përmes një shënimi në Twitter shprehu edhe keqardhjen që kjo marrëveshje nuk është miratuar akoma, por e mbyll qendrimin e fortë me fjalët “Forca Shqipëri”, pasi miratimi i reformës zgjedhore është 1 nga 15 kushtet për integrimin europian.
Deklarata e plotë: “Shpreh keqardhjen që marrëveshja e 5 qershorit nuk është kodifikuar akoma. Aprovimi me konsensusin e partive politike i reformës zgjedhore, pa asnjë ndryshim, si dhe zbatimi i saj është kyç për rrugën e Shqipërisë drejt BE. Nxis të gjitha palët, në veçanti, deputetët, ta finalizojnë këtë kriter të rëndësishëm. Forca Shqipëri!”
Burime për Fax News bëjnë me dije se pritet që Kodi Zgjedhor të kalojë javën e ardhshme në Komisionin e Ligjeve dhe mundësisht të jetë gati për seancën e 23 Korrikut. Të njëjtat burime bëjnë me dije se kryetari i grupit socialist, Taulant Balla ka kërkuar të mos humbasë më kohë dhe të shkohet përpara me marrëveshjen e 5 Qershorit.
Opozita jashtë parlamentare e ka konsideruar marrëveshjen e 5 qershorit për reformën zgjedho0re si njërin prej kushteve të plotësuara që ka vendosur BE në lidhje me procesin e integrimit, ndërsa jo pak herë ka akuzuar qeverinë se po shfaq tentativa për ta prishur atë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)