Një trup i pajetë për të cilin mendohet se i përket një viktime të luftës së fundit në Kosovë, është gjetur i groposur në varrezat e fshatit Zhabar të Mitrovicës.
Lajmi bëhet i ditur nga mediat kosovare, ndërsa theksohet se eshtrat janë gjetur të premten nga qytetarët, gjatë ceremonisë së varrimit të një banori në këto varreza.
Në lidhje me rastin është njoftuar policia, njësitet e së cilës kanë izoluar vendin dhe kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, ndërsa pritet ekipi i mjekësisë ligjore dhe organet tjera të vazhdojnë të merren me këtë rast.
Lajmin për gjetjen e trupit e ka konfimruar edhe Kryetari i shoqatës “Zëri i prindërve”, njëherësh udhëheqës i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Bajram Çerkini.
“Gjynahu më i madh është se familjarët më kanë pyetur mua, e unë s’kam ditur asnjë fjalë t’ua them. Është gjynah për të gjithë ata që kanë të pagjeturit, sepse kemi një shoqatë e cila kujdestaron çdo ditë prej ora 8:00 deri në 17:00. Gjithmonë hapur dhe mos me u gjet një njeri me tregu se çka ka ndodhur, përveç familjarëve. Është mëkat i madh, po na e shtojnë mërzinë dhe plagët të cilat janë shumë të rënda…Nuk e di pse është kjo neglizhencë, gjithmonë ka qenë kështu. Po i bëjnë disa gjëra fshehtë, pse i bëjnë ata e dinë…Më duket se po ju konvenon me marr mëditje, me dalë nëpër terren…Unë e kam fjalën për ata që marrin rroga, të cilët i paguan shteti, por edhe ndërkombëtarët që janë ndihmës të këtij procesi”, ka thënë Çerkini.
(F.GJ/FAXWEB.AL)