Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetEkonomiFlashTe FunditTe Gjitha

“Kjo do të jetë shtyrja e fundit”, Guvernatori Sejko flet për kreditë: Garancia e parë sovrane për pagat, ende në proces, si do aplikohet

Ahtu sikurse është njoftuar pak ditë më parë nga kryeministri edi Rama, do të ketë edhe një fazë tjetër tre mujorshe për shtyrjen e kredive për ata që nuk kanë mundësi të bëjnë shlyerjet, por mësohet se kredimarrësit duhet të riaplikojnë nëpër banka për rë përfituar nga ky vendim.

Do të jenë këta të fundit që do të gjykojnë nëse aplikuesi duhet të përfitojë shtyrjen e pagesës së kësteve deri më 31 gusht. Përmes një bisede për  “News 24”, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka dhënë detaje mbi mënyrën sesi do të aplikohet ky vendim i sapomarrë në bashkëpunim me qeverinë.

“Pasi ne bëmë një analizë të sistemit financiar, bazuar dhe në kërkesën e shoqatës së bankave dhe të biznesit, gjykuam një shtyrje tjetër 3-mujore të kësteve të kredive. Kemi lehtësuar bankat për të shtyrë këstet për ata klientë që do të vazhdojnë të kenë vështirësi financiare si rezultat i pandemisë. Klientët do të duhet të aplikojnë edhe një herë në banka dhe në varësi të analizës që do të bëjnë bankat e nivelit të dytë, do të përfitohet shtyrja për një 3-mujor tjetër”.

I pyetur nëse do të ketë një shans të tretë për bizneset që do të vazhdojnë të jenë në krizë edhe përtej gushtit, Guvernatori e mohoi një gjë të tillë. “Po, kjo është shtyrja e fundit, është aplikuar si një aproach standard”.

RISTRUKTURIM I KREDIVE

Me ndryshimet rregullatore të bëra nga Banka e Shqipërisë, kreditorët kanë mundësi të bëjnë marrëveshje të reja me bankat për ristrukturim të kredive me afate më të gjata se tre muaj. Për Sejkon, kjo lehtëson jo vetëm bizneset, por dhe bankat në menaxhimin e pasqyrave të të ardhurave e shpenzimeve. “Paralelisht janë marrë dhe vendime të tjera, ndër të cilat dhe lehtësimi e ndryshimet e rregulltave që kemi bërë për t’u mundësuar bankave një ristrukturim më të thellë se një shtyrje 3-mujore për ata klientë që do të hasin vështirësi më të mëdha nga kriza. Këtu mund të futen klientë dhe industri të ndryshme. Ne e kemi lënë të hapur për të gjykuar nga vetë bankat pasi ato e kanë informacionin e plotë se cilët janë klientët që kanë nevojë për ristrukturime më të plota sesa një shtyrje 3-mujore.

Për shembull, industri si turizmi, fasonët dhe industri të tjera, të cilat përballen me vështirësi më të forta sesa biznese të tjera, do të kenë pa diskutim nevojë për ristrukturim kredie, që mund të marrë një periudhë më të gjatë se 3-mujore dhe do të jetë specifike, rast pas rasti e në varësi të ciklit të biznesit”. Sipas të dhënave të BSH, vendimi për shtyrjen e parë tremujore krijoi një portofol prej 2 miliardë eurosh kredish të shtyra, prej të cilit përfituan 23 mijë klientë. Me shtyrjen e dytë nuk mund të flitet për një shifër të saktë, pasi jo të gjithë bizneset po i përgjigjen njëjtë krizës.

GARANCIA SOVRANE PËR PAGAT

Duke folur mbi garancinë sovrane për pagat, Guvernatori i BSH bëri me dije se lëvrimi i kredive është ende në proces. “Në një situatë të vështirë ekonomike, klientët kanë pasur kërkesa për një procedim më të shpejtë, por edhe bankat kanë reaguar në një mënyrë tepër proaktive. Procedimi i 23 mijë klientëve dhe 2 miliardë euro portofol është bërë në kohë rekord. Po kështu edhe me garancinë sovrane. Garancia e parë po vazhdon dhe elaborohet, është akoma në proces”. Me shifrat e javës së fundit, figurojnë 35 milionë euro kredi, të lëvruara për këtë qëllim në 350 raste, ndërkohë që presin po aq të tjera. Bankat kanë marrë kohën e tyre duke vlerësuar riskun, të nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, e cila ka ushtruar presion pozitiv mbi to.

“Bazuar në ankesat e klientëve, por dhe nga një monitorim i ngushtë që kemi me sistemin bankar, ndërhyrjet janë të vazhdueshme për të koordinuar të gjitha veprimet që bankat të jenë sa më eficiente, të ndihmohet biznesi, klientët, të respektohen procedurat dhe të ruhet stabiliteti financiar i vendit”, sqaron Sejko. Duke folur për pritshmëritë ekonomike, Guvernatori foli për një rënie ekonomike në vlerën 5-8 % për vitin 2020, ndërsa shtoi se ringritja do të fillojë në tremujorin e parë të vitit që vjen.

“Në rast se nuk do kemi një rikthim të pandemisë, por një hapje graduale, parashikojmë që ringritja do fillojë në tremujorin e parë të 2021. Goditja më e fortë që ka marrë ekonomia është tremujori i dytë të vitit 2020. Kjo krizë do të ketë efekte negative te bizneset”.

Partitë politike firmosën Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *