Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

“Bëhuni gati të vdisni”, gazetari Xhaxhiu ironizon deklaratën e Manastirliut: Në emër të kujt mbjell panik dhe frikë tek qytetari i terrorizuar nga Covid?

Nga Rezear Xhaxhiu

“Bëhuni gati të vdisni madje të vdesin ata që ne do të vendosim të vdesin”. Kjo frazë surreale, e frikshme dhe deri deri cinike u artikulua të enjten në Parlament nga zonja e parë e Shëndetësisë shqiptare, ministrja Manastirliu.

Po çfarë e shtyu zonjën ministre të parashpallte kapitullimin duke bërë një deklaratë të tillë ogurzezë dhe kërcënuese, carmatosëse dhe kapitulluese. Në emër të kujt duhet të mbillte frikë dhe panik në një periudhë kur qytetari është i hutuar dhe i terrorizuar, i braktisur dhe i shpërfillur përballë një armiku kaq tinëzar sa Covid-19?

Me një deklaratë të tillë, anëtarja e kabinetit Rama duket se kërkon të lajë duart dhe të mbulojë me maska grahamat e shëndetësisë që ajo po drejton sepse do të duhej kjo pandemi që të zbulonte çfarë po ndodh realisht përtej perdes rozë të shëndetësisë falas dhe një sistemi shëndetësor që po tregon se nuk ka asnjë mundësi për të përballuar sfidat bashkëkohore, as ato ekzistueset dhe as ato të emergjencës në fushën e shëndetit publik, të një shëndeti që na u shit falas, si bashkëkohor e modern katër vite më parë në fushata elektorale rilindase, por do të duhej pandemia për të mësuar se përgjigjja shqiptare ndaj Covid-19 rezultoi e dështuar sepse jemi në nivelet afrikane për numrin e testimeve, sepse kujdesi parësor vijon të jetë i pambrojtur, sepse ende vijojmë të kemi ambiente të reanimacionit të Covid-19 primitive dhe larg çdo standardi, sepse po e luftojmë pandeminë me mjetet e gjurmimit të shekullit 19 dhe kriza e shëndetësisë ka pllakosur, po mbahet e fshehtë si një minë me sahat që pritet të shpërthejë nga çasti në çast.

Manastirliu i di këto, por në vend që të na flasë për protokolle diagnostikuese, për rimbursimin e shpenzimeve me mjekimin ambulator, në vend që të alarmohet për mungesën e strukturave lokale, për mungesën e pajisjeve mbrojtëse të mjekëve të familjes lëshon profecinë e zezë të seleksionimit të pacientëve përballë vdekjes. Dhe duket se tashmë nuk ka mbetur asgjë për tu bërë përveç se hartimi i protokollit të vdekjes, atje ku do të vendoset se kush duhet të jetojë e kush të vdesë në emër të shëndetësisë falas.

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *