Një rrjet trafiku droge, që merrte kokainë nga Holanda dhe kanabis nga Shqipëria, ka furnizuar me lëndë narkotike zonën e Venecias që prej vitit 2016. Mediat italiane kanë bërë me dije se Policia ka sekuestruar dhjetëra kilogramë drogë, ndërsa ka kërkuar prangosjen e 24 personave.
Gjykatësi Gilberto Sigliano Messuti, dënoi 33-vjeçarin shqiptar Bujar Sefa me 12 vjet, 9 muaj dhe 10 ditë burg, duke i konfiskuar 346 mijë euro. Për Prokurorinë italiane, ai është personi që drejtoi dhe organizoi grupin e trafikantëve dhe tregtarëve të drogës në Itali, në bashkëpunim me vëllezërit e tij.
Islam Sefa u dënua me 9 vite e 9 muaj burg dhe Jetmir Sefën me 5 vite e 4 muaj. Ndërkohë me 4 vjet e 5 muaj u dënua i arratisuri Vait Sana, i konsideruar dora e djathtë e “shefit” Bujar Sefa.
Me 6 vjet e 2 muaj dhe një gjobë prej 20 mijë eurosh është dënuar Nikoll Murrizi, 35 vjeç, i cili jetonte në Tessera. Një ndëshkim i vogël prej 10 muajsh është dhënë për një nga pjesëtarët e grupit, Luigj Makaj. Ndërkohë që të ngarkuar me detyrën e shpërndarjes së drogës ishin Elton Bakiu, i cili është dënuar me 5 vjet e 7 muaj burgim dhe Denis Albrino, i dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg dhe një gjobë prej gati 13,000 euro.
(E.H/Faxweb.al)