Zenel Hoxha, pjesëmarrës në Lëvizjen Studentore të 1990, ka folur ditën e sotme përpara selisë blu, duke kërkuar dorëheqjen e Lulzim Bashës, pasi dështoi të rrëzonte qeverinë aktuale edhe pse kishte 8 vite në pushtet.
Hoxha deklaroi se Lulzim Basha nuk arriti të thyejë makinërinë shtetërore, por si një lider i shkolluar në perëndim, ai duhet të japë dorëheqjen dhe të vendosë një standard në Partinë Demokratike dhe Shqipëri.
Më tej, ai u ndal dhe te vota e emigrantëve të cilën PD-ja dështoi ta realizonte sipas Hoxhës. Ai i kërkon lidershipit të ri të Partisë Demokratike të marrë në konsideratë mundësimin e votimit për emigrantët shqiptarë kudo që janë.
I pyetur nëse ka një emër se kush do të zëvendësojë zotin Basha në krye të PD-së, Hoxha u shpreh se nuk ka rëndësi emri por demokracia e vendit, duke shtuar se të rinjtë që mund të marrin në dorë PD-në nuk mungojnë në vendin tonë.
“Unë jam themelues i PD-së. PD-ja simbolizon ëndrrat e studentëve që u ngritën 30 vite më parë. Kam vetëm një mesazh për zotin Basha. Pritshmëritë ishin shumë të larta, por nuk arriti të thyejë makinerinë shtetërore pas dy mandatesh. Mesazhi im është ky, ju jeni shkolluar në perëndim. Ju duhet të sillnit një standard në PD dhe në Shqipëri dhe të jepnit dorëheqjen. Ju duhet të hapni rrugën për të siguruar garën e lirë dhe për të riorganizuar strukturat e partisë. Unë vij me një mesazh nga diaspora. Asaj iu ndal e drejta për të votuar. Këtë gjë nuk e bëri PD-ja. I kërkoj lidershipi të ri të marrë në konsideratë këtë gjë. Në këto kushte Shqipëria është në udhëkryq. Unë kam konstatuar një jo organizim përreth Shqipërisë. Kam vetëm një interes, demokracia. PD-ja nuk i mungojnë të rinjtë që mund të marrin përsipër drejtimin e saj. Të hapet debati dhe të shtrohet rruga për krijimin e strukturave demokratike. Nuk kam kohë për të bërë historikun ccfarë ka ndodhur në PD këto vite. Ftoj të gjithë ata që kanë kontribuar te PD-ja t’i bashkohen të rinjve. Vizioni ynë shkon përtej detajeve. Kërkoj edhe njëherë që zoti Basha t’i nënshtrohet standardeve perëndimore dhe të japë dorëheqjen. Interesi themelor është bashkimi i të gjithë atyre që tentuan të krijojnë parti të tjera por nuk patën interes. Mos harroni që shtëpia juaj është PD-ja”, tha Hoxha.
Pak para Zenel Hoxhës mbajti një fjalim edhe Lisandër Hoxha. Në fjalën e tij ish-nënkryetari i FRPD-së Lisandër Hoxha paraqiti një platformë me 5 pika, të cilën ai dhe përkrahësit e mendimit ndryshe kërkojnë të zbatohet nga kryedemokrati Basha. Në platformë parashikohet pranimi i krizës, kërkimi i faljes, hapja e partisë për të larguarit si dhe organizimi i një gare reale ku çdokush mund të paraqesë alternativën e tij.
(E.H/Faxweb.al)