Ftesës së kryeministrit Edi Rama për bashkëqeverisje, kryedemokrati Lulzim basha, iu përgjigj me tone të ashpra nga takimi elektoral në ‘Kombinat’, ku theksoi se me këtë ofertë ai e ka pranuar humbjen.
Basha ftoi të gjithë shqiptarët të votojnë numrin 9 pasi ndryshimi tashmë është në dorën e tyre përmes votës.
“Edhe Edi Rama e dinë që shqiptarët ia kanë mbyllur derën, e ka pranuar humbjen, kërkon të bashkëqeverisë me ne.
Dua t’i them nga Kombinati që nuk ka ndryshim për shqiptarët pa u larguar Edi Rama. Ndryshimi do të vijë përmes përkushtimit, Aleancës për Ndryshim, votoni numrin 9 për ndryshimin.
Vetëm vota juaj do e bëj ndryshimin realitet. Për të bërë ndryshimin e mundur për ju vetë, prindërit tuaj votoni numrin 9. Zoti iu bekoftë, votoni numrin 9, ndryshimin, Shqipëria fiton!”-tha Basha.
Kujtojmë se prej ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama zbuti tonet e fushatës elektorale duke i bërë një ftesë të drejtëpërdrejtë Lulzim Bashës për bashkëqeverisje, por me kushtin e vetëm që ai të largohet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Ftesë kjo që u refuzua për të disatën herë në mënyrë të prerë nga kryedemokrati.(F.M/Faxweb.al)