David Magani është efektivi policor, i cili sipas versionit zyrtar të policisë plagosi me armën e shërbimit kolegët e tij të patrullës teksa po konfliktoheshin me disa persona në Mamurras.
Versioni i policisë nuk citon në asnjë moment se një prej efektivëve është plagosur me sende të forta, duke ngritur dyshimet për fshehjen e agresorëve të vërtetë.
Një njoftim i vakët me shumë pikëpyetje dhe i bërë publik disa orë pas ngjarjes së rëndë, që ngre dyshime për fshehje të krimit.
Kujtojmë se sipas informacioneve paraprake u raportua se konflikti nisi pasi 3 efektivë të patrullës i kërkuan agresorit të dyshuar Nikoll Vorfi, të largojë automjetin e parkuar kundravajtje, ndërkohë që ai nuk pranoi dhe nisi të debatonte me ta duke i ofenduar.
Efektivët pasi kanë hasur në kundërshtinë e Vorfit, kanë kërkuar kontrollin e automjetit, gjë e cila nuk ndodhi pasi agresorit iu bashkuan dhe shokët e tij që ndodheshin në një kafe aty pranë.
Konflikti agravoi deri në përdorimin e armës dhe për pasojë njëri prej policëve u plagos me plumb në këmbë, ndërsa tjetri me sende të forta.
Efektivët e patrullës së policisë të lënduar në krye të detyrës janë Flamur Lleja dhe Ilir Zekaj, po ashtu i plagosur ka mbetur dhe vetë agresori Nikoll Vorfi.
Njoftimi i policië rrëzon totalisht versionin e raportuar nga gazetarët sipas burimeve në terren duke ngritur aludimet për fshehje të ngjarjes për shkak të lidhjeve të personave të përfshirë me eksponent me lidhje të forta me mazhorancën. (F.M/Faxweb.al)