Franca do të rrisë praninë e saj ushtarake në Mesdheun lindor, tha Presidenti Emmanuel Macron të mërkurën, duke i bërë thirrje Turqisë të ndalojë kërkimet e naftës dhe gazit në ujërat e diskutueshme që ka rritur tensionet me Greqinë, shkruan Reuters.
Udhëheqësi francez shprehu shqetësimin për eksplorimin “të njëanshëm” nga Turqia në një telefonatë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, tha zyra e Macron në një deklaratë, duke shtuar se kërkimi duhet të “pushojë në mënyrë që të lejojë një dialog paqësor” midis palëve.
Franca do të “forcojë përkohësisht” praninë e saj ushtarake në Mesdheun lindor, thuhet në deklaratë, për “të monitoruar situatën në rajon dhe të shënojë vendosmërinë e saj për të mbështetur ligjin ndërkombëtar”.
Në Mesdheun Lindor po fryn erë lufte. Si Ankaraja ashtu edhe Athina kanë pozicionuar anije luftarake në zonën detare mes Greqisë dhe Qipros, pasi Turqia njoftoi se kishte nisur kërkimet për gaz dhe naftë. Turqia dërgoi të hënën anijen sizmografike Oruc Reis, dhe disa të tjera shoqëruese, ndërsa tha së do të niste kërkimet dy javore në zonën e diskutueshme.
Athina e konsideron këtë një paligjshëm, dhe kërkon një takim urgjent të këshillit për punë të jashtme të Bashkimit Europian. Ministri i jashtëm Nikos Dendias i bëri thirrje Ankarasë të largohet menjëherë nga rafti kontinental grek, duke theksuar se do të mbrojnë të drejtat e tyre sovrane.
Anijet luftarake greke janë dërguar në zonë, dhe po monitorojnë aktivitetet e anijes turke ndërsa ushtria është në gatishmëri. Por presidenti Recepp Tayip Erdogan e bëri të qartë mbrëmjen e së hënës se vendi i tij nuk do të kufizojë eksplorimet në det të hapur.
Greqia dhe Turqia kanë pasur tradicionalisht marrëdhënie të tendosura dhe kanë qenë në mosmarrëveshje për dekada të tëra për një sërë çështjesh. Ato kanë qenë në prag të luftës tre herë, që nga mesi i viteve 1970, ndër të tjera edhe mbi të drejtat e eksplorimit të pasurive nënujore. Zbulimet e fundit të gazit natyror në Mesdheun Lindor kanë ripërtërirë tensionet