Prej mëngjesit mijëra qytetarë janë nisur drejt Tiranës për protestën e opozitës që do të nisë në orën 11:00, nga të gjithë rrethet e vendit.
Nga rrethet më të largëta nisja ka nisur e organizuar me autobusë, që në orët e para të mëngjesit. Burime bëjnë me dije se nga Shkodra janë nisur rreth 4000 -5000 persona.
Deputeti Flamur Noka është shprehur nga ky qytet: Sot është dita e qytetarëve e dinë ata si do shkojë. Ndërkohë që kryetari i PD-së në Shkodër është shprehur: Kemi pasur një organizim perfekt ndonëse shoferët e autobuzëve janë kërcënuar me gjoba dhe heqje patentash.
Ndërkohë që vetëm sot, nga Gjirokastra në drejtim të kryeqytetit, janë nisur katër autobuzë, dhe pesë furgonë ndërkohë që shumë të tjerë, janë vetorganizuar duke shkuar në protestë me automjetet e tyre.
E njëjta panoramë është rregjistruar edhe në Tepelenë, Përmet, Memaliaj, Këlcyrë, Dropull e Libohovë ku protestuesit e opozitës janë organizuar për të shkuar në kryeqytet. Burime nga PD lokale, konfirmojnë se vetëm nga Gjirokastra, janë nisur rreth 450 persona në drejtim të kryeqytetit, ndërsa në rang qarku, numri total përllogaritet diku tek 1000 persona.
Nga Kukësi burime bëjnë me dije se janë nisur rreth 1500 protestues, duke përfshirë dhe zonën e Hasit dhe të Tropojës. Shoferet e autobuzave në Kukës nuk kanë pranuar të vendosin postera të partise demokratike në xhamat e përparme të mjeteve.
Ndërkohë që një numër i konsiderueshëm qytetarësh janë nisur dhe nga qyteti i Beratit. Nga Dibra mësohet se janë nisur 6 mijë qytetarë, ndërsa nga Lezha 5 mijë.
Nga Elbasani dhe Durrësi nisja pritet që të bëhet më vonë, burime nga qyteti bregdetar thonë se do të nisen rreth 5 mijë persona.
Ndërkohë që në disa pika të ndryshme si në Fushëkrujë-Rinas, Shkodër apo në Fier ka pasur postblloqe të policisë, të cilat kryejnë kontrolle të ndryshme mbi mjetet.
Nga ana tjetër në Tiranë është blinduar me forca të shumta rendi kryeministria. Ku nuk mungojnë as snajperat dhe kundragazet. Duket se vuvuzelat do të jenë dhe simboli i kësaj proteste.
(E.K/ Faxweb.al)