Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim është takuar me kreun e SPAK dhe anëtarët e institucionit të sapo formuar të drejtësisë në Shqipëri, ndërsa ka shprehur mbështetjen e saj për themelimin e Byrosë kombëtar të Hetimit.
“Takimi i sotëm i Ambasadores së Shteteve të Bashkuara Yuri Kim me prokurorët e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme ofroi një mundësi të shkëlqyer për të shkëmbyer pikpamjet mbi ndihmën e vazhdueshme teknike të Shteteve të Bashkuara, ndërsa ata përballen me krimin e organizuar dhe hedhin hapat e para për të themeluar Byronë Kombëtare të Hetimit. #ShbaQendronKrahShqiperise”, shkruhet në njoftimin e amasadores.
Më herët Yuri Kim ka takuar kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçin teksa takimi mes tyre është zbardhur nga ky i fundit teksa shprehet se kanë diskutuar për kontributin mbi 100-vjeçar të SHBA në shtet-ndërtimin e Shqipërisë su dhe rolin e saj në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon si edhe për nxitjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
Njoftimi i Kuvendit:
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadoren e ShBA, znj. Juri Kim
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadoren e ShBA, znj. Juri Kim, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri. Kryetari i Kuvendit vuri në dukje miqësinë e fortë që lidh popujt dhe vendet tona dhe nënvizoi se “Kjo miqësi i ka rrënjët në mbrojtjen prej Shteteve të Bashkuara të fateve, integritetit dhe pavarësisë së Shqipërisë në momentet kyçe të histories së vendit. Mbijetesa e Shqipërisë është e lidhur pazgjidhshmërisht me mbështetjen dhe kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 100 vjetori i parlamentarizmit shqiptar që po festojmë këto ditë është një rast për të kujtuar shpëtimin nga ShBA dhe Presidenti Ëillson të Shqipërisë prej copëtimit para një shekulli, kontributin e madh të kampionit të demokracisë për të mbajtur gjallë frymën e lirisë të shqiptarët, mbështetjen e Shqipërisë gjatë tranzicionit demokratik, kontributin unikal të ShBA në pavarësinë e Kosovës, mbështetjen e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, mbështetjen e integrimit europian të vendit si edhe për kryerjen e reformave të rëndësishme për fuqizimin e sistemit demokratik, zhvillimin e vendit dhe rritjen e mirëqenies së popullsisë.” Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vuri në dukje edhe kontributin e pazëvëndësueshëm të ShBA për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon si edhe për nxitjen e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)