Mbrëmjen e sotme ambasada e Kosovës kishte organizuar një aktivitet në kuadër të 12-vjetorit të pavarësisë, ku të pranishëm ishin përfaqësues të lartë të politikës, diplomacisë, përfaqësues të shteteve të huaja.
Mes tyre ishte edhe presidenti, Ilir Meta i cili gjatë një fjalimi të shkurtër, bëri thirrje për njohje të ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë, duke rrëfyer se pas këtij aktiviteti do të ishte i pranishëm në festën e Serbisë.
Mësohet se Meta sapo ka mbërritur në ambasadën e Serbisë të akredituar në Tiranë ku janë të pranishëm edhe personazhe të tjera të jetës politike në vend por jo vetëm.
Pak më herët Meta ka bërë thirrje për bashkëpunim rajonal dhe njohje të ndërsjelltë mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai tha se nuk është zgjidhje ndryshimi i kufijve duke argumentuar se një rajon I fortë dhe me rrugë të hapura drejt integrimit në BE bëhet duke mos qenë penga i të kaluarës.
Meta ka treguar se ka njohur një personalitet shumë të madh serb ndaj të cilit gëzon respect, ndërsa ka rrëfyer se pas festës ku ishte i pranishëm, do të merrte pjesë edhe një një festë tjetër që organizohej nga Serbia.
“Në Ballkan nuk ka popull të keq dhe popull të mirë, por ka politikë të mençur dhe vizionare dhe politikë vrastare dhe shkatërruese. Kjo është e vlefshme për të gjithë vendet dhe popujt. Në Ballkan çdo popull është pakicë në një shtet dhe shumicë në një tjetër dhe zgjidhja kurrë nuk mund të jetë ndryshimi i kufijve, por e vetmja zgjidhje është respektimi i standardeve evropiane i çdo pakice në çdo vend. Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka bërë dhe bën përpjekjet maksimale për respektimin e pakicave. Pas pak minutash do të marrim pjesë në një festë më të rëndësishme, festa e Serbisë. Dua t’u them të gjithëve se pavarësisht nga historia kam pasur fatin të njoh një udhëheqës të madh të Serbisë pavarësisht se ai nuk jeton më. Dhe jam i bindur se ëndërra e serbëve për rrugën europiane është e gjallë. Çfarë na duhet më shumë për ta bërë rajonin tonë më të fortë, më të sigurt, në mënyrë që të mos largohen më nga rajoni jonë është një frymë e re e bashkëpunimit për të mos qenë peng i të kaluarës.
Ashtu siç u zgjidh problem mes Maqedonisë dhe Greqisë duhet të zgjidhet edhe problem mes Kosovës dhe serrbisë. Ashtu sikurse ka thënë edhe Pompeo në letrën e urimit ndaj qeverisë së re të Kosovës, duhet të jetë njohja reciproke e të dyjave vendeve. E vetmja zgjidhje është bashkëjetesa në bazë të standarteve europiane, kjo do të na ndihmojë të ecim në rrugën e integrimit dhe vetë BE do ta ketë më të lehtë për të na pranuar. Suksese Kosovës dhe të ardhmes sonë të afërt europiane”, tha Meta ndër të tjera.
(F.GJ/FAXWEB.AL)