Misionarja Edi Gogu e ftuar në emisionin ‘Fol me mua’ në Fax News është shprehur se duhet të kuptojmë se kush jemi, të njohim më shumë veten tonë, rolin që kemi në familje dhe në shoqëri.
Sipas saj,në prindërim dhe në jetë nuk ka eksperiencë, por mësimet merren nga dështimet, ndërkohë që shumë njerëz po përpiqen që të fitojnë para nga ana tjetër po humbasin gjërat që janë më të shtrenja.
“Ne përpiqemi që e para të kuptojmë se kush jemi, të kuptojmë veten tonë, rolin tonë në familje, rolin tonë në shoqëri dhe përpiqemi që përmes aktiviteteve të ndryshme të ndihmojmë nënat e reja, baballarët, gjyshërit edhe fëmijët edhe adoleshentë që të arrijnë të gjejnë rolin e tyre në familje të kuptojnë se kush janë sepse kemi adoleshentë që po jetojnë të pakuptuar, kemi prindër që nuk po prindërojnë dhe janë të ngatërruar në të gjithë vrullin që ka kjo jetë.
Nuk po gjejnë kënaqësi as me karrierën e tyre, as me jetën bashkëshortore, as në shoqëri, as me paranë. Po përpiqemi që të fitojmë para dhe po humbasim gjëra që janë shumë të shtrenjta. Kështu që ajo që ne përpiqemi të bëjmë mes takimeve tona të këshillimit me grupe të vogla, me grupe të mëdha, për fat të keq prej pandemis shumë gjëra i kemi transferuar online dhe kemi grupet tona të prindërimit edhe të këshillimit.
Në prindërim dhe në jetë nuk ka ekspertë, kështu që përpiqemi duke treguar ato suksese që mund të kemi arritur, por më shumë mësimet më të mira i marrin nga dështimet. Aty kemi mësuar gjëra për jetën dhe unë këtë përpiqem të ndaj me shumë dashuri dhe më shumë butësi”, shprehet Edi Gogu.