Shkarkoni aplikacionin e Fax Web

 


AktualitetFlashOpinione&AnalizaTe FunditTe Gjitha

‘Rekuiem për Teatrin…Momenti më i rrézikshëm i ditës është zgjimi”

Nga Florian Vlashi

Kafka shkruan se momenti më i rrezikshëm i ditës është zgjimi. Mëngjesin e së dielës 17 maj, në orën 4:30 kish filluar shembja e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Pamjet të kujtonin skenën e rrëzimit të kinemas së vjetër tek “Cinema Paradiso” por, ndryshe nga filmi i Tornatore-s ku njerëzit rrinin në heshtje plot rrespekt e nostalgji ndaj asaj salle që u kish dhënë aq shumë, në qendër të kryeqytetit shqiptar ekzekutimi ishte shumë më dramatik: sulm i beftë i forcave speciale në errësire, nxjerrja me force e artistëve dhe aktivistëve të ngujuar për mbrojtjen e godinës, protestat e njerëzve jashtë që sa vinin e shtoheshin dhe e gjitha kjo në kohën e mbylljes së pandemisë.

Dhe, më e trishtueshmja, për të shembur Teatrin u zgjodh një eskavator, një vdekje sa e ngadaltë aq dhe torturuese në agoninë e saj. Videon e goditjes e kam parë shumë herë, si për të dashur të kap një shenjë para frymë së fundit. Fadroma me pamje dinozauri e godet godinën mu në mes, pikërisht tek gërmat “Komb…”. Dhe ajo rrëzohet pak sa nga e majta. Zhurma e rrëzimit prej 11 sekondash është e padeshifrueshme, si gjuha sekrete të dallgëve në breg, sssssshqptrtmtrdhtnprshprtmdjtmjuuuuuuu

Kush ishte Teatri Kombëtar.

Intuita më thotë se informcionin më të saktë mbi historikun e kësaj ndërtese si dhe atë që ajo simbolizon, në vend që ta marr nga politikanët, pra, nga ata që firmosën zhdukjen e saj, po i drejtohem më mirë specialistëve të fushës. Njëri prej tyre është profesori erudit Aurel Plasari. Ai e cilëson ndërtesën e Teatrit si “një monument i shumëfishtë historik, – të historisë kulturore, të historisë artistike, të historisë sociale, të historisë së albanologjisë, të historisë politike të shtetit shqiptar.”

Duke lexuar historikun e saj mësojme se godina u projektua nga arkitekti i njohur italian Bertè në fund të viteve 30. Aty u krijua fillimisht “Qarku Italo-shqiptar Scanderbeg”, kinema-teater Savoja, u vu baza e Institutit të Studimeve shqiptare ku u hodhen themelet e Fjalorit të gjuhës dhe të Enciklopedisë shqiptare,

U dhanë koncerte nga “Divat” e kohës si Tefta Tashko-Koço, Marie Kraja, Kristaq Antoniu, me Lola Gjokën e Tonin Guraziun në piano. Po ashtu dhe ekspozita pikture si ajo e dy motrave piktore Zengo. Gjatë periudhës së pushtimit gjerman aty vazhdonin koncertet me orkestrën që drejtonte Maestro Fioli. Pas luftës, filmave italianë e gjermanë, ja zunë vendin ato sovjetikë, anglezë dhe amerikanë. Ndërkohë vazhdonin koncertet e orkestrës së Radio Tiranës drejtuar nga Umberto Oscari si dhe koncertet vokale të drejtuara nga Kostandin Trako.Nga faqet e zeza historik janë proceset e gjyqeve famëkeqe të diktaturës. Aty filloi dhe Grupi Teatral Profesionist i Shtetit që u shndërrua më pas në Teatrin Kombëtar. Aty kanë fillimet e tyre të gjitha figurat emblematike të artit skenik shqiptar.

Është thuajse e pamundur të gjendet një ndërtesë e asaj kohe në Shqipëri ku të mbajë brenda kaq shumë histori. A mund të prishej një ndërtesë e tillë vetëm me justifikimin se do ndërtohej një e re sepse kjo nuk i plotesonte kushtet për të qenë selia e Teatrit Kombetar? Për fat të keq, prej shumë kohësh, ajo ishte e braktisur në pikë të hallit nga e gjithë politika shqiptare. Në një intervistë me shkrimtaren Arlinda Duma në gusht 2018, i pyetur mbi godinën e Teatrit, u pergjigja se

“Jam absolutisht kundra prishjes së Teatrit dhe absolutisht pro ndërtimit të një teatri të ri. Nuk ka pse lindja e të dytit duhet të presupozojë vdekjen e të parit. Një teatër i ri e modern është më i nevojshëm se kurrë në Shqiperi. Por janë urbanistët ata që duhet të mendojnë për një vend të përshtatshëm. Teatri i vjetër është pjesë e historisë së artit shqiptar; të ruhet, të rinovohet dhe, nëse nuk do të funksionojë më si teatër, mund të kthehet në muze apo arshivë. Në Buenos Aires kam visituarnjë teatër té kthyer në librari me emrin Ateneo, sipas gazetës The Guardian është nga dy libraritë më të bukura në botë. Dhe vazhdoj Kam qenë edhe kundër shdërrimit të sheshit të Durrësit dhe heqjes së shatërvanit projektuar nga arkitekt Sotiri. Atëhere shkruajta se gjërat nuk është e thënë të jenë të bukura për t´i dashuruar. Ato duhen sepse, pa e kuptuar, bëhen pjesë e jetës tënde. Për fat të keq ti e kupton këtë gjë vetëm atëhere kur i humb përgjithmonë.”

Do ishte e pa imagjinueshme prishja e Teatro Rosalia (S. XIX) në La Coruña për të ndërtuar teatrin e ri të Operas. Apo të prishej Salón Teatro në Santiago, thuajse moshatar me Teatrin e Tiranës, për të ndërtuar Auditorin e ri. Po të kërkosh në Google “prishjet e teatrove”, e para që del është ai i Palmirës në Siri i shkatërruar nga ISIS.

Nuk e harroj Sallën e Artë (Musikverein) në Vienë kur luajta aty me Simfoniken e Galicisë. Shkëlqimi i saj më la pa fjalë, por ajo që më preku ishte parketi i vjetër i skenës, plot gërvishje, gropa e shenja si një memorial intim. Po ashtu karriget e muzikantëve, të shtrembëruara e me këmbët të prera për t´ju përshtatur niveleve të skenës. Sallat e vjetra kanë shpirt. Janë të mbushura plot fantazmat të bukura. Kanë memorie, ndaj janë të shenjta.

E ndjeva thellë trishtimin e tim ati kur e lajmërova për shëmbjen e Teatrit. Eh, një jetë dedikuar skenës. Ai nuk foli. Nga dritarja shikonte i heshtur oqeanin. Ndërsa mami, e cila ka punuar mësuese, qau. Dhe kur qan një mësuese diçka e rëndë ka ndodhur…

Justifikimi

Kryeministrit shqiptar Edi Rama, siç e pohon edhe vetë, ka mbi 20 vjet që mendonte ta rrëzonte godinën e Teatrit si të pavlerë. 20 vjet! E çuditshme kjo ide fikse. Ky obsesion si kapiten Ahab me balenën e bardhë. Por, a do jetë Teatri “Moby-Dick”-u i tij politik? Personalisht kam vlerësuar kulturën e tij të gjerë, shumë punë që realizoi kur ishte Kryetar Bashkie apo talentin si piktor. Por ndonjëherë më duket se ai mendon se Tirana apo Shqipëri është thjesht një tabllo e tij ku mund të pikturojë ç´të dojë. Por nuk është kështu. Nuk duhet të jetë kështu. Atdheu është “tablloja” e të gjithëve. Ndaj, mbeta i zhgënjyer kur rastësisht dëgjova një intervistë të tij në Euronews Albania tre ditë pas shembjes së Teatrit.

Justifikonte prishjen e godinës se vjetër duke folur me perbuzje për mbrojtësit e saj dhe duke e cilësuar ndërtesën si “ magazina me tallash e teneqe të ndërtuara për të argëtuar ushtarët italianë”. Ndër të tjera tha: “Në Francë është prishur gjysma e një lagjeje historike në zemër të Parisit për t´u ndërtuar qendra Pompidou. Kur ka ndodhur kjo, në France është bërë nami.” Me sa di unë, faktet janë krejt ndryshe. E para, nuk është prishur një lagje historike por është ndërtuar në një zonë të zbrazur ku dikur kish qenë pjesë e tregut “Les Halles”. Presidenti Pompidou propozoi të ndërtohej një qendër e madhe multikulturore për ti dhënë disi jetë e gjallëri asaj zone. E dyta, zhurmë u bë për tjetër gjë, u bë për të kundërshtuar projektin e Renzo Piano-s dhe Richard Rogers pse ishte tepër modern për vitet 70 si nga të parat ndërtime të stilit industrial high-tech. Aty janë librat, apo siç thojnë në Spanjë, “hemeroteka e mallkuar”.

I vetmi rast në historinë e Sh XX që është dhënë urdhër për t´u hedhur në erë ndërtesat historike të Parisit ka qenë urdhëri i Hitlerit me 24 gusht 1944 për gjeneral Von Choltitz, urdhër që, për fatin e njerëzimit, nuk u zbatua nga ky gjeneral. Dhe Hitleri e vleresonte shumë Parisin sepse, jo vetëm se “ish i lexuar”, por ishte marrë dhe me pikture.

Historia e njerëzimit është e mbushur me drama të tilla në të gjitha rregjimet totalitare. Nuk ka asnjë justifikim të shkatërrosh një ndërtim me histori për të ngritur një të ri “mbi gërmadhat e së vjetrës”; nuk mund të djegësh apo të ndalosh libra për të shkruar të tjerë më të “shëndetshëm”; nuk mund të shkatërrosh vepra arti në emër të një “arti të ri”; nuk mund të hedhësh në erë objektet e kultit si kisha e Shën Mëris të Vaut të Dejës e shekullit XIII për një “fe tjetër”, apo të zhdukësh identitetin e një qyteti për një tjetër më moderne. Për at´ Zot, kush mban përgjegjësi për masakrën urbane, për plazhin e Durrësit, betonimin e arkeologjisë, mbulimin e mozaikëve 2000 vjeçarë, eliminimin e parqeve, mbylljen e librarive, zhdukjen e kinemave historike të Tiranës apo vilat e vjetra…? Pjesa dërmuese e restaurimeve që janë bërë deri tani ndodhen jashtë “Suazës së artë” Tiranë-Durrës, ku lufta me “dinozaurët e natës” është thuajse e humbur. Me sa duket, fati i monumenteve historikë, ashtu si fati i njerëzve, varet shumë nga koordinatat gjeografike ku lind.

Ndaj mënyra e vetme është të vendosin vetëm ekspertët të përbërë nga historianë, urbanistë, bibliotekarë, specialistë shkencore etj. të gjithë jashtë influencës të politikës. Po qe nevoja, të bëhen referendume. Ishin shumë emocionuese reagimet për ngjarjen në gjithë shtypin ndërkombëtar. Ndërsa ajo që ndodhi në Kosovë ditën e rrëzimit të Teatrit Kombëtar, para anullimi i të gjitha shfaqeve teatrale në solidaritet me zërat që e mbrojtën, ishte xhesti më nobel që pa dyshim do mbetet në librat e historisë. Nga ana tjetër, sa i shëmtuar vulgariteti dhe fyerjet ndaj atyre që mendojnë ndryshe, qoftë nga një krah ashtu dhe nga krahu tjetër. Më duket se është e Voltaire-it thënia e madhe “ Nuk jam dakort me çfare thua, por do jepja jetën për të drejtën tënde që ta thuash.” Dhe Voltaire diçka dinte mbi të Drejtën dhe Arsyen njerëzore.

Vendimet historike nuk mund të jenë kapriço të politikanit të rradhës në pushtet. Kjo do të ishte jo vetëm e padrejtë, por edhe e rrezikshme, sepse dalin fjalët e hidhura të Simón Bolivar: “Ikni nga ai vend ku fijet e pushtetit i drejton një njeri i vetëm; është vend skllevërish.”

Shtepia e gjetheve

Në kryeqytetin shqiptar është një ndërtesë e quajtur “Shtëpia e gjetheve”. Ajo ka qenë baza e Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës. Tashti është restauruar dhe është kthyer në muze. Për gati gjysëm shekulli aty janë thurur dramat më të paimagjinuara të mendjes së djallit. Artistet, aktorët, rregjisorët, skenografët, muzikantët, poetët e dramaturgët e Teatrit ishin preja e parapëlqyer e “Shtëpisë së gjetheve”. Sepse, ndërmjet Artit dhe Diktatures ishte dueli i perjetshëm i Dritës me Errësirën, i të Mirës me të Keqen,, i Zotit me Djallin “ku fusha e betejës është shpirti jonë” sipas Dostojevskit. Tek “gjethet” ishin 212,145 dosje – shumë më tepër se sa drama e komedi të shkruara për Teatrin; ishin listat e 120.000 bashkëpunëtorëve të Sigurimit –shumë më tepër se të gjithë shkrimtarët, muzikantët e artistët shqiptarë bashkë; ishin 32.000.000 faqe të hartuara nga policía e fshehte – shumë më tepër se e gjithë krijimtaria artistike e shkruar dhe e luajtur brënda mureve të brishta të Teatrit tonë. Nëse dikush ka kaluar pranë “Shtepisë së gjetheve” natën e 17 majit në oren 04:30 do ketë dëgjuar një zhurmë të frikshme gjethesh e ngjashme me kristalet e thyera…

Këto ditë më sillet në mendje një tregim i rrallë i shkrimtarit Augusto Monterroso. Është vleresuar si tregimi i shkurtër më i mirë i historisë së letërsisë. Janë vetëm shtatë fjalë, sa një univers i tërë kafkjan: Kur u zgjua, dinozauri ishte akoma aty.

Partitë politike firmosën Marrëveshjen për Reformën Zgjedhore. A mendoni se Presidenti Meta duhet të dekretojë një datë zgjedhjesh në tetor të këtij viti?

Për t'ju bashkuar grupit të Faxweb.al në Facebook, klikoni Join Group
loading...

Artikuj të Ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *