Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik Oerd Bylykbashi, ka folur shkurtimisht për mediat, para mbledhjes së radhës që do të nisë për pak minuta në Pallatin e Kongreseve.
Bylykbashi tha se mazhoranca po kërkon që të bllokojë me çdo kusht punën e Këshillit, duke mos iu drejtuar OHDIR-it për përplasjen që kanë palët për çështjen e koalicioneve parazgjedhore, duke vënë në këtë mënyrë në rrezik procesin e çeljes së negociatave të vendit me BE-në.
”Ka më shumë se dy javë që opozita ka kërkuar që të marrim mendimin e OHDIR për garimin në koalicione, siç janë sot në Kodin Zgjedhor. Ka dy javë që PS e pengon këtë, po bllokon Këshillin Politik dhe marrëveshjen e Janarit e Qershorit. Kjo vë në rrezik procesin zgjedhor dhe atë të negociatave të vendit”, u shpreh Bylykbashi.
Mbledhja e sotme e Këshillit Politik është kërkuar me ngulm dhe nga deputetja Rudina Hajdari, që njësoj si PD dhe LSI ka bërë me faj mazhorancën për ngecjen e amendimeve të Kodit Zgjedhor.
3 janë pikat më të nxehta ku ndahen palët, opozita jashtë parlamentit kërkon mbajtjen e formulës aktuale të koalicioneve, ndërsa opozita brenda parlamentit zbritjen e pragut në 1% si dhe hapjen e listave 100%, dhe jo sipas vullnetit të renditjes së kryetarëve të partive.
Ndërkohë mazhoranca nga ana e saj këmbëngul fort që koalicionet duhet të hiqen, dhe në rast se subjektet duan të bashkëpunojnë, atëherë duhet të dalin me lista të përbashkëta. (E.K/Faxweb.al)