Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçi përmes një deklarate për mediat ka kundërshrtuar vendimin e Ministrisë së Drejtësisë për izolimin e tij në regjimin 41 bis. Duke iu referuar fjalës së ministres së drejtësisë Etilda Gjonaj, Meçi shprehet se është e papranueshme, se nga dhjetra të dënuar me vendim të formës së prerë, 5 nga 7 personat që do të futen fillimisht në regjimin e posaçëm, të jenë pjesë ende e proceseve gjyqësore, duke iu referuar anëtarëve të grupit Shullazi.
“Ndër dhjetra apo qindra të dënuar për krime të rënda, pjesë e organizatave terroriste, ishte zgjedhur pikërisht Emiljano Shullazi, procesi kundër të cilit, ka qenë një ndër çështjet që ka tërhequr më shumë vëmendjen e opinionit publik në citet e fundit, i shoqëruar me zhurmë dhe me deklarata publike nga të gjitha anët, duke e servirur atë fajtor, dhe si ndër ”përfaqësuesit më të spikatur të krimit”, si kur çështja e tij ishte në shkallën e parë, ashtu dhe tashmë që vijon shqyrtimi në apel”, thuhet mes të tjerave në deklaratën e Meçit.
Avokati këmbëngul se emri i Shullazit po përdoret për vëmendje, dhe për të mbuluar të gjitha dështimet e SPAK-ut për të hetuar kokat e mëdha, e duke qenë larg pritshmërive që kishte publiku.
”Në kushtet kur kronikat e lajmeve janë të mbushura me raste vrasjesh dhe grabitjes, dhe korrupsioni lulëzon sheshit, duke nisur nga maja e pushtetit, SPAK për të mbulur impotencën dhe dështimit, së bashku me një ministri drejtësie të përgjumur, ndërmerr këtë operacion propagandistik, për të bindur opinionin publik brenda dhe jashtë vendit se korrupsioni dhe krimi i organizuar po luftohet”, thuhet më tej në deklaratën e Meçit, i cili thotë se ky operacion ”nuk do mund të mbulpjë dor zgavrat që janë krijuar në fytyrën e drejtësisë së re, ndërsa nuk lë pa përmendur dhe rastin e fundit kur SPAK iu preu fletëarreste dy të vdekurve.
Avokati shprehet se me vendimin për ta çuar Shullazin nën regjimin e posatshëm, Ministrja e Drejtësisë po synon që të ndikojë sërish të çështja në Apel.
“Me propagandimin e këtij vendimi, si ministrja ashtu edhe SPAK po ndërhyjnë haptazi në vendimin e Gjykatës së Apelit”, thuhet mes të tjerave në deklaratën e Meçit.
Avokati i Shullazit këmbëngul se urdhëri për transferimin e tij në regjimin 41 bis është i paligjshëm, arbitrar dhe abuziv, dhe për këtë shkak ata do ta apelojnë duke nisur që nga dita e hënë.
“Urdhëri në fjalë është i paarsyetuar dhe i paargumentuar. Arsyet e izolimit të Emiljano Shullazit fshihen pas emërtimeve të shkresave, që kanë synimin ”sekret shtetëror”. Vetë ministrja pranon që ka të dhëna dhe informacione që këta subjekte kanë marrëdhënie me organizata të tjera dhe brenda burgut. Kjo për çudinë më të madhe, që sipas tyre ka organizata të tilla, dhe SPAK nuk vepron”, deklaron më tej Meçi.
Avokati tha se të gjitha vërejtjet do ti bëhen të ditura dhe ambasadave në vendin tonë, dhe organeve që merren me Reformën në Drejtësi.
(E.K/Faxweb.al)