Kishin ardhur për ta rregulluar shtëpinë. Në të njejtën kohë edhe për t’i vizituar familjarët e tyre. Por kthimi për në Zvicër nuk ju shkoi ashtu siç e menduan pesë anëtarët e familjes Krasniqi nga fshati Rahovicë i Ferizajt. Teksa po kalonin nëpër Gjermani me veturën e tyre goditën një kamion, ku si pasojë e kësaj goditje ndërruan jetë tre meshkuj të kësaj familje shqiptare.
Kurse të lënduara rëndë mbetën nënë e bijë, por jashtë rrezikut për jetën. Një ditë më vonë familja e tyre në Rahovicë ka hapur dyert për ngushëllime. Familjarët shprehën të pikëlluar nga kjo ngjarje e trishtë që iu ndodhi atyre.
“Aksidenti ka ndodhur. Zaimi me Florën kanë ndërruar jetë. Bleoni deri sot në mëngjes ka qenë me shenja jete, por fatkeqësisht edhe ai sot në mëngjes ka ndërruar jete. Bashkëshortja dhe vajza janë jashtë rrezikut për jetë. Vajza ka veç thyerje, të dy këmbët i ka të thyera”, ka thënë Behgjet Krasniqi, familjar i tyre.
Krasniqi tregon se ata ndodheshin në Kosovë prej javësh. Të pikëlluar nga ajo çka ndodhi janë edhe bashkëfshatarët. Ali Maliqi kryetar i fshatit Rahovicë thotë se e kanë përballuar rëndë këtë lajm dhe shpreson që të jetë i fundit.
“Unë si kryetar i Fshatit dhe në përgjithësi krejt fshati e kemi ndjerë këtë rast jo mirë. Dashtë Zoti të mos ndodhë më kurrë”, ka thënë kryetari i fshatit.
Maliqi thotë se ky rast i ka tronditur shumë edhe për shkak se rastet e tilla janë të rralla në fshatin e tyre. Të prekur nga ajo se çfarë ka ndodhur janë edhe nga Komuna e Ferizajt.
Kthimi i tri kufomave në Kosovë pritet të bëhet gjatë ditës së hënë. Pas kthimit të trupave të pajetë do të organizohet edhe ceremonia e varrimit në vendlindje.