FIFA ka nisur procedurat disiplinore kundër Granit Xhakës e Xherdan Shaqirit për shkak të mënyrës se si i festuan golat e tyre në fitoren e Zvicrës kundër Serbisë.
Bërja e Shqiponjës me duar nga Xhaka e Shaqiri është konsideruar nga serbët si provokim, prandaj FIFA tashmë ka nisur procedurat disiplinore kundër tyre.
FIFA hetimin e ka nisur pasi është ankuar Federata e Futbollit të Serbisë. Hetimi bazohet në thyerjen e Nenit 54 të kodit disiplinor të FIFA-s i cili “ndalon provokimin e përgjithshëm të publikut”. Nisja e procedurave nga FIFA në asnjë mënyrë nuk nënkupton dënim për Xhakën e Shaqirin.
Në deklaratën zyrtare, FIFA shkruan se Komiteti i Disiplinës ka nisur hetimet ndaj Xhakës e Shaqirit, duke shtuar madje se, “në lidhje me të njëjtën ndeshje, procedime disiplinore janë hapur edhe ndaj Federatës serbe të Futbollit, për shqetësimet që kanë sjellë tifozët në stadium dhe shfaqjen e mesazheve politike e agresive nga tifozët serbë”.
“Për më tepër, një hetim paraprak është hapur ndaj trajnerit të Serbisë, Mladen Krstajiç, për deklaratat akuzuese që bëri pas ndeshjes në fjalë”.
Ende mbetet e paqartë se për çfarë është hapur hetimi ndaj Krstajiç, por në komentet për reporterët serbë gjatë së shtunës, ai besohet të ketë folur mbi gjyqtarin e ndeshjes, Felix Brych:
“Nuk do t’i nxjerr as karton të verdhë dhe as të kuq, ndoshta do ta dërgoja atë në Hagë, në mënyrë që ata ta nxjerrin para gjyqit, siç kanë bërë me ne”.
(E.K/FAXWEB.AL)